Kryeministri Edi Rama i është drejtuar opozitës përmes një pyetje retorike, duke thënë se kërkesa e opozitës për të zhdukur krimin dhe drogën nuk duhet gjendur tek rënia e qeverisë, por tek mundësia që opozita ka për të jetësuar përmes votës së tyre Vettingun. Për kryeministrin Rama sjellja e PD-së ka një shpjegim të logjikshëm. Opozita mbron lidhjet e saj me pushtetin gjyqësor të korruptuar dhe nuk voton vettingun sepse ikja e kësaj kaste gjyqtarëh do të nxjerrë në pah mëkatet e ish qeveritarëve.
“Lidhjet e tyre me pushtetin gjyqësor janë lidhje në mëkat dhe humbja e këtyre lidhjeve është ekspozim përballë mëkateve. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të justifikuar mungesën e tyre. E gjithë retorika e tyre lidhet me krimin dhe mundësinë që ky parlament i ka dhënë për të patur në dorë 50% të zgjedhjes për të hequr krimin dhe korrupsionin… ata nuk e shfrytëzojnë.
Kush mund të përjashtojë këto argumenta dhe të thotë jo, lufta kundër krimit dhe drogës nuk ka lidhje me gjykatësit, me vettingun, por të thotë ka lidhje me qeverinë?!”-tha Rama.