Dy çmime ka marrë filmi “Babai” me skenar dhe regji nga Visar Morina në edicionin e 50-të të festivalit ndërkombëtar të filmit Karlovy Vary. Në ngjarjen më të rëndësishme të filmit në Europën Qendrore dhe Lindore, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ky film fitoi çmimin për regjinë më të mirë si dhe çmimin Europa Cinemas Label që ndahet nga Europa Cinemas Network.
Me dy premiera brenda një jave, atë gjermane dhe botërore, ‘Babai’ ka rrëmbyer deri tani 6 çmime. Ky film fitoi 4 çmime në festivalin e madh Filmfest Munchen ndërsa tani i erdhi radha fitores në Karlovy Vary në njërin ndër festivalet më të vjetra dhe më të mëdha në botë, thuhet në një njoftim të Qendrës Kinematografike të Kosovës.
“Babai” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRË, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE dhe është prodhim i NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë.