Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili ka zhvilluar sot një konferencë ku u është përgjigjur interesit dhe pyetjeve të gazetarëve, të cilët punojnë pranë mediave më të njohura të shteteve anëtarë të Bashkimit Europian, një projekt ky i financiuar nëpërmjet instrumentit të paraaderimit në mbulimin e fondeve IPA.
Në pyetjet e tyre gazetarët kanë shfaqur interes lidhur me ndryshimet e ndërmarra në kuadër të Reformës në Drejtësi, veçanërisht në sistemin gjyqësor.
Ministri Vasili është ndalur në një prezantim të përgjithshëm lidhur me fokusin e kësaj reforme, duke nënvizuar ndryshimet kushtetuese, të cilat u miratuan në mënyrën më konsensuale të mundshme dhe unike përsa i takon numrit të votave të marra nga parlamenti Shqiptar.
Gjithashtu Ministri Vasili theksoi se këto ndryshime kushtetuese u shoqëruan me miratimin edhe të ligjeve të tjera që ndryshojnë rrënjësisht procesin se si sistemi ynë i së drejtës do të duhet të funksionojë.
Ministri Vasili vlerësoi se pas miratimit të kësaj pakete është momenti i duhur që të gjithë të japim prova të dukshme dhe transparente se ligjet e miratuara dhe Kushtetuta do të respektohen. I pyetur nga gazetarët nëse reforma në drejtësi duhet të ishte çelësi për suksesin e të gjitha reformave të tjera, Ministri Vasili argumentoi se kjo reformë është një pjesë e detyrimeve që kemi për të përmbushur në kuadër të rrugës sonë drejt Bashkimit Europian dhe kjo nuk do të duhet kurrsesi të lëmë mënjane edhe reformat e tjera, të cilat diktojnë rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit apo përmirësimin e rendit dhe sigurisë.
Një grup gazetarësh prej 15 persona kanë zhvilluar një vizitë studimore disa ditore në Tiranë, në kuadër të interesit të shfaqur për ecurinë e procesit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë në vendin tonë./a.m.