Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) në bashkëpunim me Sekretariatin Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI Albania) organizuan një tryezë të rrumbullakët mbi “Transparencën dhe llogaridhënien në industrinë nxjerrëse në Shqipëri”. Kjo tryezë, e zhvilluar për herë të parë, ofroi mundësi për të rritur dialogun me shoqërinë civile mbi transparencën dhe për të forcuar bashkëpunimin mbi këto çështje.
Aktorët e shoqërisë civile të cilët ishin pjesëmarrës në këtë takim evidentuan nevojën për rritje të mëtejshme të transparencës në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare si dhe theksuan nevojën për të përmirësuar kuadrin ligjor sa i përket dhënies së informacionit për mënyrën se si shfrytëzohen pasuritë natyrore nga kompanitë që operojnë në këtë sektor.
Në këtë takim, u diskutua për mënyrat se si mund të nxitet angazhimi aktiv i organizatave të shoqërisë civile në konceptimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e procesit të rritjes së transparencës në industrinë nxjerrëse. Gjithashtu diskutimi u përqendrua mbi faktorët ligjorë apo rregullatorë të cilët paraqesin pengesa dhe vështirësojnë pjesëmarrjen e lirë dhe aktive të shoqërisë civile në zbatimin e misionit të EITI. Më tej, përfaqësues të OJF-ve diskutuan edhe mbi mënyrat se si mund të sigurohet struktura e duhur mbështetëse ligjore, procedurale si dhe praktike që do të ndihmonte organizatat e shoqërisë civile në nxitjen e dialogut për zbatimin e principeve të EITI.
Drejtor Ekzekutiv i IQ Consulting, Kushtrim Shaipi, theksoi se përdorimi i matur i burimeve të pasurisë natyrore pasurisë duhet të jetë një motorr i rëndësishëm për zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe të kontribuojë në zhvillimin e qendrueshëm dhe në zvogëlimin e varfërisë, por nëse nuk menaxhohet ashtu si duhet, mund të krijojë ndikime negative ekonomike dhe sociale. “Iniciativa EITI ka për qëllim që ajo që cilësohet si pasuri e përbashkët, të shfrytëzohet edhe për të mirën e përbashkët. EITI përfshin 51 shtete, ku 31 e kanë kaluar kriterin e transparencës që kjo iniciativë parasheh. Është një iniciativë e vazhdueshme, e gjallë ku vendet anëtare përfshijnë standarde dhe mekanizma të reja në funksion të transparencës në industrinë nxjerrëse. Nxjerrja e minerareve dhe e të mirave nga nëntoka të ketë edhe një zhvillim social për komunitetin e këtyre zonave.
Andi Kananaj, drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile theksoi se ndihet i surprizuar nga një nismë e tillë të cilën e vlerësoi maksimalisht për kontributin në rritjen e transparencës në këtë sektor. “Jam ndier i surprizuar me nismën, pasi kur protestoja në 2004-n, ne kërkonim pikërisht llogari për këtë çështje dhe nuk arrinim të gjenim informacion. Është një platformë që të lejon të informohesh dhe të kërkosh llogari më pas”, tha Kananaj.
Ndërsa përfaqësuese e MSG, Grupi Shqiptar i Punës, Anila Hajnaj, theksoi rëndësinë e transparencës edhe në pjesën e kontratave për të gjitha kompanitë që përfitojnë nga burimet vendase. “Një nga çështjet kryesore është pronësia, hapja e dokumentacionit për të marrë vesh se kush është pronari i vërtetë. Qëllimi ynë është t’i shkojmë në thellësi çdo gjëje. Të gjitha kontratat duhet të jenë të hapura për të marrë vesh se deri ku shkon detyrimi për komunitetin. Në çdo kontratë ka përqindje që kompania duhet të japë si fonde për investime për komunitetin, por është e vështirë të kuptohet sepse kontratat hidrokarbure janë të mbyllura”, tha Hajnaj.
Na javët në vazhdim EITI Albania do të publikojë dhe raportin vjetor për këtë industri në Shqipëri. /a.m.