Pas një testimi të bërë në lëndën e gjuhës shqipe, matematikë dhe dituri me klasat e pesta në të gjithë vendin, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka dalë në përfundimin se nxënësit që ndjekin arsimin publik kanë cilësi më të lartë se ata që ndjekin arsimin privat.
“Në nivelin E6, që është i barabartë me notën 10, në shkollat publike kemi 32% të nxënësve, ndërsa në shkollat private kjo kuotë është 1 për qind. Një nga përfundimet e këtij raporti ishte se nga pikëpamja e cilësisë, nxënësit që përfundojnë arsimin publik janë më lartë se ata që përfundojnë studimet në arsimin privat”, deklaron Rezana Vrapi, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Pavarësisht përmirësimit në rritje të përgatitjes së nxënësve në shkolla, është vënë re të mësuarit përmendësh prej tyre. Pra, nxënësit nuk e vënë mendjen në punë për të riprodhuar atë që kanë mësuar. Kjo sipas Vrapit, duhet ndryshuar që nga mënyra e të kërkuarit nga ana e mësuesve.
“Ka qenë vëmendja e mësuesve më tepër e fokusuar tek riprodhimi i informacionit, të mësuarit përmendësh të fakteve, shifrave, etj. Herë pas here ata japin fjali të gatshme, apo skema që rëndom i përdorin në shkollë. Një nga rekomandimet tona është që nxënësit jo thjesht të nxënë, por çfarë të bëjnë me aftësitë që marrin në shkollë”, thotë Vrapi.
Nga testimi ka rezultuar gjithashtu se është ngushtuar hendeku ndërmjet nivelit të nxënies së nxënësve në zonat rurale me ata në qytete.
ma.me