Precedentët e dhunës në basketbollin e moshave po bëhen të zakonshëm në kampionatin shqiptar, duke dhënë kështu një model të turpshëm për këtë brez të pretenduar të perspektivës.
Pas incidenteve të ndodhura pak javë më parë në ndeshjen Teuta – Tirana (U-18 djem), Federatës Shqiptare të Basketbollit i del sërish situata jashtë kontrollit.
Aktet e dhunës janë rikthyer në kryeqytet në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, në takimin e vlefshëm për javën e tetë të Grupit B, Real Basket-Invaders. Mësohet se incidentet e dhunës kanë ndodhur në përfundimin e takimit të fituar nga Real Basket me rezultatin e ngushtë 51-50.
Mësohet se shkëndija e parë e përplasjes së paprecedentë u dha nga basketbollisti me numër 22 i Real Basket dhe bashkëmoshatarit të Invaders me numër 24. Fyerjet në distancë dhe provokimet nga të dyja palët bënë që të “finalizohej” mes grushteve.
Më pas situata ka degjeneruar plotësisht me grushte, ku kanë hyrë në fushë të gjithë pa përjashtim nga stafet respektive. Madje, protagonistë të këtyre skenave të turpit janë bërë edhe vetë prindërit e lojtarëve. U desh ndërhyrja e efektivëve të policisë (në minorancë në numër) të pranishëm në pallatin e sportit, për të neutralizuar situatën, në të kundërt fundi do të ishte edhe më dramatik, raporton “Panorama Sport”.
I përballur në një kaos të plotë, mësohet se njëri prej gjyqtarëve gati sa nuk qante. Gjatë gjithë kohës ndeshja u karakterizua nga polemika nga stafet teknike për gjykimin, por çuditërisht pa u ndëshkuar me gabim teknik. Trajneri i Real Basket është Marvi Kristo, aktualisht kontingjent i Partizanit në Kategorinë e Parë, ndërsa Invaders drejtohet nga trajneri Mikel Serbo.
Grupi B i përbërë nga tetë skuadra kryesohet nga Superior Klima, me 7 fitore në po kaq takime të zhvilluara, ndërsa Invaders mban vendin e pestë me 3 fitore e 5 humbje dhe Real Basket i gjashti me të njëjtin bilanc rezultatesh./panoramasport/a.k