Shumë kundërshtime e pakënaqësi janë vënë në adresë të të parit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe Donika Kadaj Bujupi, që të dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, që kur po merrnin pjesë në Konventën e AKR-së së Begjet Pacollit, injoruan himnin e Kosovës.Kanë shpërthyer komente në Facebook.
Gazetari Adriatik Kelmendi, ka qenë njëri ndër ata që kanë reaguar.
“Të kuptohemi: Kosova pretendon të jetë demokraci. Në demokraci është normale të ketë individë ose organizata që mendojnë ndryshe. Në këtë rast mund të jetë në rregull nëse Visari e Donika mendojnë se shteti i Kosovës nuk duhet të ekzistojë, ose se simbolet e tij kushtetuese nuk vlejnë. Çka nuk është në rregull është kur të njëjtit marrin pagat nga taksat e qytetarëve të shtetit i cili mendojnë se nuk duhet të ekzistojë! Standard i dyfishtë, fatkeqësisht!”, ka shkruar Kelmendi.
“Përndryshe, në traditën e popujve të qytetëruar – ku duam ta shohim edhe popullin shqiptar – është i dinjitetshëm nderimi në raste solemne edhe i himneve të shteteve të tjera (hiq shtetet armike), e lëre më shtetit tënd!”, ka shtuar tutje Kelmendi.
Ka reaguar edhe Lumir Abdixhiku, editorialist i rregullt i Kohës Ditore.
“Shtetin e himnin e Kosovës e kanë nderuar një gardë ushtarake në mes të Rusisë. E kanë nderuar sportistë, atletë e të tjerë – në Rio, Paris, Madrid, Stamboll e gjithandej nëpër botë. Shtetin e Kosovës do ta nderojnë të tjerë plot. Do ta nderojnë sepse vajzat e djemtë më të mirë tanë, do të kujdesen për këtë. Çfarë disa politikanë të përkohshëm e aksidental bëjnë hiç s’ka rëndësi”, ka thënë Abdixhiku, transmeton Koha.net. “Për aq sa janë, deri sa të janë, simbolet përfaqësojnë Republikën. Shtetin tonë. E Republika, shteti ynë, do të mbijetojë me ose pa politikanë të tillë”, ka shtuar tutje ai.
Më i ashpër në reagim ka qenë analisti Petrit Zogaj.
“Visar Ymeri një politikan bosh. I pa koncept. Imitues i dobët i Liderit. Përsëritës i pashije i doktrinave politike që dikush tjetër ia përgatit. Lexues i keq i tyre. Interpretues po aq i keq i të njëjtave. Një politikan shtirës. Shtirjen e ka edhe në momentet e idhnakut kur do të tregohet. Sot nuk qenka ngritur derisa hymni i Kosovës është dhënë. Pra, idhnak i shtirur sot. Qysh shtirjen për shumçka e ka ky lider partie e ka dhe partia e tij, ose partia e Liderit të tij. Shtirjen e kanë për shtetin. Për kombin. Për zhvillimin e vendit”, ka thënë Zogaj. “Shtiren edhe për krimin e korrupsionin. Shtiren edhe kur thonë që shqetësohen për këtë vend. Shtiren edhe për shtirjen e tyre. Pra, nuk lënë asgjë për u shtirë. Shtiren edhe ndaj njeri-tjetrit brenda partisë. E kjo shtirje politike e tyre më së shumti po i duhet një klani kriminal e korruptiv të qeverisjes. E ky është klani i PDK-së dhe LDK-së. Të parët shtiren, të dytët qeverisin në mënyrë kriminale. Sa te ngjashëm që janë. Sa fatkeq është kjo shoqëri për këtë elitë të shtirur e kriminale”, ka shtuar ai tutje.
Ka qenë sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, që po përmes Facebookut është kundërpërgjigjur ndaj atyre që po kundërshtojnë këtë veprim të shefit të tij në parti e bashkëpartiakes që erdhi në Vetëvendosje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. U ka dalë krah.
“Deri dje i kam dëgju shumë prej analistëve (për disa prej të cilëve kam respekt – megjithëse s’janë shumë) që problemet kryesore në Kosovë janë papunësia, korrupsioni, varfëria, arsimi, etj. Sot me gjasë paska ndërru situata, sepse po del që problemi kryesor qenka a u ngrit Visar Ymeri dhe Donika Kadaj për himnin e Kosovës a jo”, ka shkruar Molliqaj. “P.S.: Kam me i lutë herën tjetër Visarin dhe Donikën me u ngritë, veç për me ua plotësu dëshirën e me ua zgjidhë problemin”, ka shtuar tutje. (b.an)