Në nbledhjen e sotme, KQZ ka nisur diskutimin për mandatin e tij dhe në fund me 4 vota pro dhe 3 kundër vendosi të kërkojë më shumë informacion nga prokuroria për kohën kur është dënuar Armando Prenga në Itali. Para KQZ, avokati i Prengës sqaroi se deputeti i ka dhënë një ditë më parë shenjat e gishtave në departamentin përkatës dhe është i hapur ndaj cdo informacioni apo procesi.
Avokati tha se për këtë çështje ata disponojnë vetëm një kërkesë, e cila i është paraqitur edhe KQZ, por jo dokumentacionin përkatës, çka i pengon ata të bëjnë një mbrojtje ligjore dhe efektive. Sipas tij për këtë çështje i janë drejtuar edhe Prokurorisë, pasi sipas tyre ka patur tentativë për të mbledhur të dhëna në mënyrë që të dëmtohet figura e klientit të tij.
“Me gjithë rezervat që kemi lidhur me këtë njoftim të dhënë edhe nëpër portale, para pak ditësh në jemi njohur zyrtarisht vetëm nëpërmjet administratës të KQZ, dhe nuk disponojmë asnjë dokumentacion për këtë çështje. Ne disponojmë vetëm një kërkesë që e kemi edhe ju. Dhe nisur nga kjo nuk kemi një mundësi për të kërkuar të drejtën. Kemi dorëzuar edhe kërkesë në Prokurori, por tha u dha përgjigje se në kuadër të dekriminalizmit, provat përbëjnë sekret dhe nuk mund të bëhen publike”, tha avokati.
Ai sqaroi se “për vendimin e vitit 2005 në Itali, Prenga nuk kishte dijeni”.
Cfarë kërkon prokuroria
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e mandatit për deputetin Prenga pasi rezulton që nuk ka deklaruar:
-Një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë
-Si edhe faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos.
Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane.
Pikërisht për këtë arsye Prokuroria regjistroi hetim penal kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendim që pasoi me përplasje deklaratash mes dy institucioneve, madje kryetari i KQZ, Denar Biba informoi edhe ambasadorët dhe krerët e shtetit për veprimtarinë e institucionit që drejton në lidhje me procesin e dekriminalizimit.