Partia Demokratike duket se është e qartë brenda saj sa i përket vendimeve qe pritet të marrë në vijim.
Mbrëmjen e sotme Lulzim Basha zbardhi skenarin e opozitës ndërsa deklaroi se pa opozitën nuk ka zgjedhje.
I pyetur në emisionin Opinion se a do të merrnin pjesë në votimet e qershorit në rast se kërkesa e tyre për qeveri teknike nuk pranohet, Basha tha se zgjedhjet pa opozitën nuk mund të behën.
Ndërsa drejtuesi i emisionit i përmendi rastin e Maqedonisë kur opozita bojkotoi zgjedhjet por gjithsesi ato u zhvilluan, kryedemokrati iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë duke këmbëngulur: “A mund të ketë zgjedhje pa opozitën?”.
“Pa një qeveri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk do të ketë zgjedhje” – tha Basha në mënyrë kategorike.
Ditën e sotme mediat vendase kanë hedhur hipotezën se PD po përgatitet për një bojkot të plotë të votimeve në rast se kërkesa e tyre për qeveri teknike nuk do të pranohet. Përveç mosregjistrimit në KQZ, skenari përfshin bojkotin e komisioneve te votimit dhe atyre të numërimit.
Mbrëmjen e së enjtes Lulzim Basha mohoi të ketë negociuar në ndonjë moment me kreun e LSI për ndonjë zgjidhje të mundshme apo bashkim. Ai gjithashtu mohoi të ketë një “Plan B” për të dalë nga çadra përveçse qeverisë me bazë të gjerë.
Sipas Bashës, ndërmjetësimi nga ndërkombëtarët për një zgjidhje alternative nuk ka. /javanews/b.d