Trajneri italian Simone Pianigiani është njëri prej kandidatëve për të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Burime të afërta me Federatën e Basketbollit të Kosovës, kanë konfirmuar se është biseduar me Pianigianin, por kanë shtuar se ai është vetëm njëri prej kandidatëve, raporton Koha Ditore.
Po ashtu, është bërë e ditur se FBK-ja po bisedon edhe me katër kandidatë tjerë. Është kontaktuar edhe trajneri i njohur gjerman, Dirk Bauerman.
“Është e vërtetë që FBK-ja ka biseduar me Simone Pianigianin, i cili është një emër i madh në basketboll, por ai është vetëm njëri prej kandidatëve. FBK-ja, ka biseduar edhe me katër trajnerë tjerë nga Sllovenia, Turqia, Gjermania e Italia. Gjithçka do të vendoset javëve në vijim”, ka thënë burimi i gazetës Koha Ditore të mërkurën.
Pianigiani 47-vjeçar, aktualisht është në krye të ekipit nga Izraeli, Hapoel Jerusalem. Ai ka bërë karrierë edhe tek ekipet e Euroligës si Fenerbahçe e Montepaschi Siena si dhe për gjashtë vjet (2009-2015) ishte në krye të Përfaqësueses së Italisë. (b.an)