Ali Lajçi, ish-deputet dhe ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, thotë se versioni aktual i demarkacionit “mund t’i mbetet në fyt liderëve shtetërorë”.
“Jemi për demarkim, por jo për këtë version. Nëse kemi institucione të mira e funksionale e të përgjegjshme nuk mund të shkojë ky version në Kuvend pa konsensus. Këta po duan ta bëjnë patjetër, edhe pse nuk duhet të bëhet edhe nëse i ke vetëm dhjetë deputetë kundër.
Ky version të shkojë në Kuvend padyshim që do të jetë jo i favorshëm dhe madje do të ishte rrezik se mund t’u mbesë në fyt dhe mund të mbesin pa e kapërdi”, ka thënë ai.
Në Interaktiv të KTV-së, Lajçi ka thënë se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me ratifikim të demarkacionit është i pa drejtë.
“Veç pranimi i këtij kushti është niveli më i ulët i përfaqësimit të shtetit. Krejt rajoni nuk e ka të zgjedhur çështjen e demarkacionit. Vizat janë e drejtë për qarkullim, por jo për territor. Tash po bëhet propagandë se po bëjmë punë të mirë për të definuar shtetin dhe sovranitetin. Por cilin sovranitet. Cilin territor të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Lajçit, banorët lokalë nuk do të lejojnë këtë ratifikim dhe ata “do ta kundërshtojnë me të gjitha mekanizmat e mundshëm, protesta dhe mekanizmat tjera, që ta zhbëjnë këtë demarkacion”, citohet Koha. (b.an)