Qytetarë të pakënaqur ia kishin mësyrë Qeverisë, për t’i parë argumentet sipas të cilave Çakorri dhe Bjelluha, nuk është pjesë e territorit të Kosovës.
Ata të mllefosur me rezultatin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit, kërkonin që Demarkacioni me Malin e Zi të mos kalojë assesi.
Rasim Mulaj përfaqësues i fshatrave të Deçanit, kishte hyrë në Qeveri për t’u takuar me zëdhënësin e Komisionit Tomor Qela, të cilit donte t’i thoshte se është tradhtar i vendit. Por bashkëvendësit e tij nuk e lejuan të hynte dhe se protestën e tij, ai doli ta shfaq para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësues të fshatrave të Deçanit dhe Rugovës, kishin ardhur në Prishtinë, për të shfaqur pakënaqësinë e tyre. Mulaj tha se vendosën të mos hyjnë fare në Qeveri, aty ku gjinden hartat dhe materiale tjera, në bazë të të cilave është caktuar kufiri me Malin e Zi, pasi që siç tha ai, këtij komisioni i janë ofruar argumente edhe me herët, por nuk janë marrë parasysh.
“Ky komision këtë matje e ka bërë në mënyrën më arrogante, më falsifikuese, më të drejtë të territorit të Kosovës, sepse territori i Kosovës i ka humbur 8200 hektarë tokë, 82 km2 i ka të humbura. Me apelu tek deputetët e Kosovës, vëllezër dhe motra deputet, populli ua ka qit votën, mos e ratifikoni këtë demarkacion ashtu siç është, as të komisionit të Murat Mehës, as të komisionit të krye akademikut fatkeqësisht Hivzi Islamit, e tjetrit tradhtarit më të madh Tomor Qelës.
Këto fjalë ia kam thanë dhe me tre gusht në parlament. Mos u bë si Esat Pashë Toptani, e me i dhanë tokë Malit të Zi, sepse s’ka qenë kurrë në asnjë hartë, në asnjë dokument, nuk ekziston që Mali i Zi, e ka pasur kullën e Zhlepit. Çka kanë bërë këta, kanë me dhënë përgjegjësi para këtij populli”, tha ai.
E zëdhënësi i komisionit Tomor Qela, i shpjegonte secilit qytetar, për mënyrën se si ata kanë caktuar vijën kufitare me Malin e Zi.
“A po pajtohesh me mua që në këtë hartë Çakorri e Bjelluha janë jashtë…i nderuar profesor kjo hartë është e punuar në vitin 1969, jep pjesën e zonave kadastrale të komunës së Pejës, Hagjaj, Kuqishtë, Drelaj. Kjo hartë kemi përputhje njëqind për qind”, tha ai.
Por kjo nuk po e bind aspak pensionistin Nijazi Hoxha, i cili kishte ardhur në sallën e Qeverisë, për t’i parë hartat të cilat i ka ekspozuar komisioni qeveritarë, për të gjitha ata që duan t’i shohin të dhënat dhe argumentet, mbi të cilat është bazuar komisioni për matjen e territorit të Kosovës, transmeton KP.
Me gjithë mundin për shpjegim, Qela nuk arriti ta bind Hoxhajn, se matjet janë të sakta.
Derisa brenda në ndërtesë të Qeverisë vazhdonin shpjegimet e Qelës, duke u munduar t’i bind qytetarët që kjo matje është e saktë, përfaqësues nga fshatrat e Deçanit e Rugovës, protestonin jashtë, duke qenë këmbëngulës që këto të dhëna janë të pasakta dhe se ata nuk do të rrinë duarkryq. Ali Lajçi thotë se varianti i cili është paraqitur nga Komisioni, është i kontrabanduar, përgatiti Koha. (b.an)