Nga Lorenc Vangjeli
Ka pak më shumë se dy mijë vjet që njerëzimi ka marrë një këshillë të urtë. Ndoshta një nga këshillat më të vyera, një nga paralajmërimet më të mençur dhe mësimet më të mëdha nga pësimet, që është dhënë ndonjëherë: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të donin të ta bënin ty!” Nëse do të ndiqej kjo aksiomë e filozofisë kristiane dhe të përbotshme më pas, padyshim bota do të kishte qenë më e mirë. Madje edhe një pikë e padukshme në këtë botë të madhe, bota e vogël e Tiranës, do të kishte qenë tërësisht ndryshe. Edhe vetë politika, arti pa art që kushtëzon nervin e Tiranës, gjithashtu padyshim do të kishte qenë më e mirë.
Javën që shkoi, këtë javë, por dhe gjithë javët e shkuara dhe të ardhshme në Tiranë ngjajnë pothuaj njëlloj. Qeverisjet, si rregull, pretendojnë se kanë sjellë progres, që janë më të mirat e mundshme dhe që po bëjnë mrekulli, opozitat, jo si përjashtim, insistojnë fiks për të kundërtën. Që qeverisja është mallkimi më i rëndë që ka rënë në histori, që regresi është më dramatiku i mundhsëm dhe që është armike e publikut.
Në muajt e fundit që paraprijnë zgjedhjet që ndajnë kush qeveris dhe kush qeveriset, sërish deklarimet janë në skaje: e para premton standarte dhe reformë tërësore zgjedhore dhe e dyta që thotë se votat do të grabiten dhe se vullneti i votuesve do të frakturohet.
Në ditët e para pas zgjedhjeve, fituesi duartroket fitoren, humbësi mallkon vjedhjen.
Nuk ka një rast të vetëm në të paktën dy dekadat e fundit, kur e majta dhe e djathta kanë zëvendësuar njëra-tjetrën në lavjerësin e demokracisë, që të ketë ndodhur ndryshe.
Djajtë e pushtetit shndërrohen në ëngjëj në opozitë dhe anasjelltas.
Të mirët e një kohe, bëhen të ligjtë e kohës tjetër në sytë dhe në ligjërimin e palëve, pavarësisht ngjyrës. Arsyet e këtij shndërrimi mund të shjegohen vetëm me alkiminë e pabesë të pushtetit, por kjo nuk është as e plotë dhe as plotësisht e vërtetë, sa kohë që nuk përmendet kryearsyeja: nuk ekzistojnë as djajtë dhe as ëngëjt, as kur janë në pushtet dhe as dalin në opozitë, por ka interesa që ndryshojnë dhe falë tyre, ndryshojnë këndvështrimet mbi të njëjtën gjë. Arsye është edhe harresa e plotë dhe mospërfillja e ftohtë ndaj këshillës së urtë kristiane, parakristiane dhe e urtisë pannjerëzore: Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të dojë të ta bënin ty!
Të shtunën e protestës as Lulzim Basha nuk ishte i sigurt për numrin e protestuesve që do t’i përgjigjeshin thirrjes së opozitës për të dalë në bulevard.
Të shtunën e protestës as Edi Rama nuk pati dyshim se do të duhej të bënte diferencën me të shkuarën, qoftë dhe duke transmetuar “live” nga Facebook-u i tij, lumin e njerëzve që i dogjën shëmbëlltyrën me zjarr.
Të dielën që u gdhi nën çadër dhe më pas, të hënën, të martën dhe në ditët që do të vazhdojë protesta, edhe shumë më tepër, situata nisi të ndryshojë.
Edi Paloka fliste si Saimir Tahiri. Ristani nuk i linte mangut asgjë fjalorit të Ballës. Ben Imami i ngjante pikë për pikë Ben Ahmetajt. Vetëm toni, gjatësia dhe gjinia e ndryshonte ligjërimin e djeshëm të opozitarit Ilir Beqja nga denoncimet e sotme të Albana Vokshit.
Njëlloj sikur të mos ketë kufi dhe të mos dihet më se kush është pasqyra dhe kush është fytyra.
Majko nuk ka folur ende se po peshon atë që do të thotë.
I vetmi që ka folur njëlloj si në opozitë ashtu dhe në opozitë është Kastrioti. Ato që Islami ju thoshte demokratëve si socialist në 2009-ën, jua thotë socalistëve si demokrat në 2017-ën.
“Manifestimet tona të protestës janë manifestime të një shpirti opozitar që nuk jepet dhe që qëndron e palëkundur”, thoshte Edi Rama.
“Zoti Rama le të shtrihet përdhe, të bëjë çfarë të dojë. Unë zgjedhjet do t’i bëj. …dhe nuk pranoj t’i shtyj ato asnjë ditë”, thoshte Sali Berisha.
I pari protestonte në 2010-ën për zgjedhjet që i konsideronte të vjedhura dhe të fshehura në kutitë e mbyllura, i dyti premtonte në 2009-ën zgjedhje si të vetmen zgjidhje. Të dy bashkë, Berisha dhe Rama, në 2008-ën gjetën zgjidhjen si të vrisnin Metën me kod zgjedhor, pa kujtuar ditën kur Iliri kushtëzoi në 2005-ën largimin e një kryeministri (Nanos) dhe pa besuar se do të vinte dita kur i jepte vendit emrin e një kryeministri në 2009-ën (Berishën) dhe do të sillte në zyrën e kryeministrit një tjetër emër (Ramën). Qoftë njëri, qoftë tjetri, qoftë Nano nga e shkuara, qoftë Basha si një premtim i të nesërmes, qoftë Rama e Meta me Berishën në mes, pavarësisht besimit dhe ngjyrës së fanelës politike, një ditë, kur kanë qenë nën dhembje opozite, me siguri kanë menduar për thikat që kanë prodhuar kur kanë qenë në pushtet. Që kanë bërë atë që ju bëhet. Nëse kujtojnë pikërisht sot, me çadrën blu në bulevard, atë që do duhej ta bënin dje me çadrën rozë në të njëjtin bulevard, padyshim Shqipëria e nesërme do të jetë ndryshe. Edhe qytetari shqiptar. Ai që thirret të zgjedhë ata që do ta qeverisin dhe shpreson që do ta qeverisin po ata që ai do të zgjedhë.