Një grup prej katër hajdutësh shqiptarë kanë kryer dje në orët e vona të natës një grabitje si ato të filmave në Pistoia të Italisë.
Grabitësit kanë hyrë në një vilë dhe fillimisht janë ndeshur me shërbyesen dhe një burrë të moshuar për të cilin kujdesej e reja (edhe ajo me origjinë shqiptare).
Pasi i kanë neutralizuar duke i lidhur në karrige, grupit të “skifterëve” i kanë dalë përpara pronari dhe bashkëshortja e tij. 62 vjeçari dhe gruaja 59 vjeç sapo kishin mbërritur në vilën e e tyre kur janë përballur me grabitësit.
Pas konfrontimeve fizike, pronari i shtëpisë është shtrirë përtokë dhe është vjedhur. Prej trupit të tij është marrë një orë Rolex, 300 euro. Nuk është harruar të grabitet edhe gruaja, të cilës i kanë marrë rreth 1 mijë euro nga çanta.
4 shqiptarët ishin të armatosur rëndë, me pistoletë, thika dhe shkopa bejsbolli. Pas “krehjes” dhe për të mos rënë në sy, ata kanë marrë dhe makinën e bashkëshortes së pronarit të vilës, një Lancia Y. 62 vjeçari është një person i njohur, për shkak se ishte dhe pronari i një hoteli të famshëm në atë zonë të Italisë (Buggiano)./java/a.k