Presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë personi më i pasur në botë, sipas ekspertëve që besojnë se pasuria e tij mund të shkojë në total prej 200 miliardë dollarësh.
Sipas Forbes, zyrtarisht, personi më i pasur në botë është Bill Gates i Microsoft-it me pasuri neto prej 75 miliardë dollarësh.
Gjatë pothuajse dy dekadash në pushtet, pasuria neto e Putinit është spekuluar gjerësisht, ndërsa thuhet se ish-agjenti i KGB-së ka asete private në patundshmëri dhe aksione në kompani.
Një nga supozimet më të cituara për neto pasurinë e 64 vjeçarit është ajo e analistit politik Stanslav Belkovsky i cili më 2007 pasurinë e Putinit e vlerësoi në 40 miliardë dollarë, por Bill Browder, autor dhe ish-menaxher fondesh në Rusi, ka thënë se presidenti ka një pasuri shumë më të madhe – mbi 200 miliardë dollarë, transmeton Koha.net.
“IBTimes” ngriti çështjen e pasurisë së Putinit javën e fundit, duke theksuar se Broëder ka folur me Fareed Zakaria GPS më 2015, i cili ka thënë se vitet e shumta të Putinit në pushtet i kanë sjellë atij një pasuri marramendëse.
“Besoj se është 200 miliardë dollarë”, ka thënë ai atë kohë. “Pas 14 vitesh në krye të Rusisë, dhe pas tërë atyre parave që vendi i ka fituar, pas tërë atyre parave që nuk janë shpenzuar në shkolla, rrugë e spitale e kush e di çfarë tjetër, gjithë ato para janë në prona, banka – në llogari bankare në Zvicër – në aksione, në fonde të ndryshme… janë menaxhuar për Putinin dhe miqtë e tij”.
Por megjithatë, Putini nuk hyn në listën zyrtare të njerëzve më të pasur nga Forbes.
Kjo pasi revista thotë se nuk i përfshin liderët botërorë, në veçanti “diktatorët të cilët pasurinë e nxjerrin krejtësisht duke iu falënderuar pozitës së tyre në pushtet”.
Belkovsky thotë se një pjesë e madhe e neto pasurisë së Putinit vjen duke iu falënderuar biznesit të naftës, duke thënë se presidenti rus kontrollon 37 për qind të kompanisë së naftës Surgutneftegaz, 4.5 për qind të kompanisë së gazit natyror Gazprom dhe kishte prona në kompaninë tregtuese të mallrave, Gunvor.
Gunvor mohon se Putin ka pasur ndonjëherë ndonjë pronësi në kompani, e cila pati 93 miliardë dollarë të hyra në vitin 2012, sipas “TIME”.
Pasi fillimisht e kishte vlerësuar pasurinë e Putinit në 40 miliardë dollarë, Belkovsky e kishte rritur këtë në 70 miliardë, duke pretenduar se kishte mbledhur informata shtesë nga “burime konfidenciale nëpër korporata”, transmeton Koha.net.
Një neto pasuri prej 70 miliardë dollarësh do ta vendoste Putinin në vendin e dytë në listën e miliarderëve të Forbes, vetëm prapa Gates dhe menjëherë mbi pronarit të Zara-s, Amancio Ortega.
Përkundër jahtit të tij 35 milionë dollarësh, të quajtur Olympia, një prej treguesve më të dukshëm të pasurisë së tij është një pallat në Detin e Zi i cili raportohet të ketë vlerën e 1 miliard dollarëve.
Biznesmeni në ekzil, Sergei Kolesnikov, i ka thënë BBC-së se pallati është ndërtuar enkas për Putinin, por është paguar nga një fond sekret i formuar nga oligarkë rusë.
Sipas një dosieri të shkruar nga një rival politik i presidentit rus, Putin ka mundësi që ka qasje deri në 58 aeroplanë e helikopterë, në një koleksion orësh në vlerë prej 500,000 mijë dollarësh dhe në 20 pallate dhe pushimore jashtë qyteteve.
Raporti thoshte gjithashtu se ai shfrytëzon një aeroplan privat me një kabinë në vlerë prej 137 milionë dollarësh që ka një banjë të praruar në ar dhe një tualet prej 62,000 dollarësh.
Përfitime tjera përfshijnë një rezidencë gjigante në Liqenin Valdai në veriperëndim të Rusisë.
Në vitin 2015, Putin kishte deklaruar për vitin 2014 të hyra prej vetëm 119,000 dollarësh, duke listuar pronësi të dy apartamenteve dhe hise në një garazh parkingu, transmeton Koha.net.
Putin më parë i kishte hedhur poshtë pretendimet se është njeriu më i pasur në Evropë, duke thënë: “Janë gjepura. Gjithë ato fjalë i kanë nxjerrë nga hunda e dikujt dhe i kanë shpërndarë nëpër gazetat e tyre të vogla”, përgatiti Koha. (b.an)