Qytetarët e Tiranës, që dikur përdornin dy linja autobusi për të shkuar nga ish Uzina e Autotraktorëve deri në Institutin Bujqësor, nga sot udhëtojnë vetëm me një linjë dhe duke paguar vetëm një biletë.
Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që, për shkak të bllokimit të Bulevardit nga protesta, autobusët detyrohen të devijojnë itinerarin e tyre të zakonshëm.
“Më vjen keq që sot kemi pasur disa probleme me trafikun, sidomos me dy linja kryesore, atë të Tiranës së Re dhe Kopshtit Zoologjik. Prej devijimit që kemi nga bllokimi i Blv. “Dëshmorët e Kombit”, linjat detyrohen të futen në rrugica më të ngushta. Kjo do të thotë se projekti ynë për të futur autobusë fizarmonikë, shfaq disa problematika, pasi autobusët fizarmonikë nuk mund të futen në rrugicat e ngushta të Bllokut, për të devijuar bllokimin që kemi në bulevard. Megjithatë, po bëjmë maksimumin që, ndërsa protesta vazhdon dhe mban të bllokuar bulevardin, t’u kërkojmë qytetarëve durim dhe mirëkuptim teksa bëjmë një devijim të autobusëve. Më të vegjlit përmes bllokut, kurse ata që janë autobusë fizarmonikë devijojnë në unazë”, tha ai.
Duke theksuar se Bashkia e Tiranës do të respektojë të drejtën e çdokujt për të protestuar, kryebashkiaku Veliaj u bëri edhe një kërkesë miqësore për të gjetur një zgjidhje në lehtësimin e trafikut në qytet.
“Jam shpresëplotë që ndoshta do kemi një mirëkuptim edhe nga bllokuesit e Bulevardit që çadra ose të zhvendoset te lulishtja e Piramidës, ose në një hapësirë tjetër, ku të mos bllokohet lëvizja e autobusëve. Kështu, mijëra qytetarë që sot nuk arritën në punë në orar, të mos kthehet në një problem kronik gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, megjithatë nëse mund të gjejmë një bashkëpunim që kjo të mos bllokojë jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, që duan të jetojnë me punë, të ndjekin shkollën dhe që duan të vazhdojnë jetën normalisht, besoj se do të arrijmë një konsensus”, theksoi Veliaj.
Linja nga ish Uzina e Autotraktorëve deri në Institutin Bujqësor dhe anasjelltas, ka 32 stacione autobusësh, ndërkohë që është përmirësuar frekuenca e autobusëve duke i shërbyer më shpejt dhe më me cilësi qytetarëve të Tiranës.