Komunikimin e Javës, kryeministri ja ka kushtuar protestës së opozitës përballë kryeministrisë, duke thënë se asnjë pjesëtar i qeverisë nuk kërkon që zgjedhjet të mos jenë të lira dhe të ndershme, por përkundrazi, si kushdo, edhe Rama, kërkon që zgjedhjet të jenë të një stadnarti të lartë.
Kryeministri ka shprehur vlerësim dhe respekt për demokratët e thjeshtë që kanë qëndruar në protestë, por sipas tij, ata që i kanë thirrur aty, problemin e kanë tek Vettingu dhe Reforma në Drejtësi, që sipas Ramës është kthyer në një fantazëm në ëndrrat e drejtuesve të PD-së.
Sipas kryeministrit, ata që protestojnë nën çadër duan dhe kërkojnë reformën në drejtësi, por jo ata që i thirrën qytetarët nën çadër, duhet ta kuptojnë se nuk do të mund të mbrohen nga Vettingu.
“Udhëheqësim e kësaj proteste kanë qenë për një kohë të gjatë në pushtet dhe në qeverisjen e tyre shqipëria ka humbur shumë kohë, ka bërë pak progres… edhe vetë ata e dinë që njerësit sot kanë probleme e halle sa të duash, por e kuptojnë dhe e vlerësojnë se ka një qeveri që po përpiqet të bëjë shtet. Ata e shohin dita ditës se reformat po presin fije korrupsioni për zullumqarët që janë mësuar ta shohin vendin si shesh për të bërë përshesh.
Reforma dhe vettingu janë shprehja më kuptim plotë e këtij vullneit për të bërë shtet dhe njëkohësisht janë fantazma më kërcënuese e gjumit të atyre që për 25 vjet e kthyen drejtësinë në një mjet për të sunduar vendin. Politikanët nuk do të munden më të vijojnë me teatrin e virgjëreshave që akuzojnë njëra tjetrën përditë për imoralitet….
SHBA dhe BE e mbështesin dhe do ta garantojmë këtë reformë. Ata që erdhën dje në bulevard e duan reformë në drejtësi dhe vettingun njësoj sic i duan ato unë e shumë të tjerë. Ndërsa ata që i thirrën në protestë nuk duan as reformën e vettingu, e cila do të heqë nga pallati i drejtësisë gjyqtarët që ruajnë kapakët e puseve të mbyllura të zullumeve të tyre.”-tha Rama./java/a.k