“Protesta e Partisë Demokratike është një përpjekje e opozitës për të rritur tensionin në vend, për të bllokuar implementimin e reformës në drejtësi dhe do të shërbejë si alibi për humbjen e radhës së PD-së në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar nga Selaniku deputeti socialist Taulant Balla, në një takim me emigrantët shqiptarë, bashkë me zv/ministrin e Brendshëm, Stefan Cipa.
“Në këto momente, ka disa shqiptarë të futur në një imitacion të një tende për të protestuar. Edhe ata nuk dinë se përse. Sepse të kërkosh qeveri tjetër 4 muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që shqiptarët në 18 qershor do të zgjedhin se cilën qeveri duan”, tha Balla.
“Lidershipi i PD-së ka në këtë protestë ka interesa personale, që lidhen me sabotimin e implementimit të reformës në drejtësi dhe të procesit të vetting-ut”, ka theksuar Balla.
“Protesta ka të bëjë me tensionimin e klimës politike në Shqipëri, sa kohë që Kuvendi i Shqipërisë tashmë duhet të jetë i angazhuar në vijimin e punës intensive në kuadrin tjetër ligjor në mbështetjen për implementimin e reformës në drejtësi”, u shpreh Balla, shkruan dita.
Përsa u përket emigrantëve, Cipa dhe Balla kanë përsëritur premtimin e kryeministrit Edi Rama se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të fundit ku shqiptarët e diasporës nuk do të mund të votojnë nga vendet ku ata jetojnë.