Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, zhvilloi një takim me Sekretarin Gjeneral të INTERPOL-it, Jurgen Stock, me të cilin bisedoi për mundësinë e pranimit të Kosovës në këtë organizatë, si dhe për mënyrën e thellimit të bashkëpunimit me INTERPOL-in.
Presidenti Thaçi tha se Kosova plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në INTERPOL. “Ne kemi nevojë për INTERPOL-in, por edhe INTERPOL-i ka nevojë për Kosovën, për informim sa më të shpejt”, shtoi presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock, theksoi se INTERPOL-i është i hapur për Kosovën dhe pret të përfundojnë procedurat e brendshme për të filluar shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim.
Sipas një komunikate të Presidencës, me sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, presidenti Thaçi diskutoi edhe për çështjen e ndalimit të shtetasve të Kosovës me fletarreste të Serbisë, duke thënë se fletarrestet e tilla janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht.
Presidenti Thaçi, nga sekretari i INTERPOL-it kërkoi që të gjitha fletarrestet politike të Serbisë të anulohen./KosovaPress/a.k