Motamo është ajo për tën cilën u përpoq edhe Edi Rama përpara zgjedhjeve të 2013 por nuk e realizoi pasi Berisha “bleu” Kastriot Islamin, Asllan Dogjanin dhe Gjovalin Kadelin nga PS-ja. Dy janë kërkesat që do të dalin në protestën e sotme të PD-së: ose votim elektronik ose qeveri teknike.
Votimi elektronik nuk realizohet dot pasi e bëri të ditur qartë OSBE-ODIHR-i që është e pamundur; ndaj ngel kërkesa e dytë që është largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike deri në zgjehdje.
Aldo Bumçi e cilësoi këtë përpjekje të PD-së si një “skenar maqedonas”, pra siç bëri Zoran Zaev dhe u arrit në Marrëveshjen e Përzhinos.
Por këtu ka një ndryshim në fakt, pasi si në kushte ashtu edhe në përfundime skenari maqedonas i Bashës nuk përputhet me atë të Zoran Zaevit, shkruan Tesheshi.com.
Le ta marrim me radhë:
Zoran Zaev nisi protestat e tij me çadra përpara parlamentit pasi Nikolla Gruevski fitoi zgjedhjet në mandatin e tretë me një manipulim që u njoh si i tillë nga komuniteti ndërkombëtar; e nga ana tjetër publikoi të ashtuquajturat “bomba”, biseda të përgjuara telefonike të qeveritarëve që tregonin abuzim me pushtetin, posaçërisht vjedhjen e qartë të zgjedhjeve.
E dyta, aksioni i Zaevit ka hasur në një mbështetje të madhe ndërkombëtare, posaçërisht nga SHBA dhe BE, deri në atë pikë sa Nikolla Gruevski akuzoi Uashingtonin dhe Brukselin për komplot.
Ndërkaq, Marrëveshja e Përzhinos çoi në krijimin e një Prokurorie Speciale që do të hetonte abuzimet me pushtetin, një prokurori që nuk do të ishte e lidhur me qeverinë si gjyqësori.
Mirëpo në rastin tonë jemi në kushte të kundërta.
Kjo pasi PD është kundër Prokurorisë Speciale apo ndryshe reformës për Drejtësi të cilën e mbështesin jo vetëm ndërkombëtarët por e ka votuar vetë PD.
PD jo vetëm nuk ka marrë mbështetjen ndërkombëtare për aksionin e saj por ka nisur një sulm frontal ndaj ambasadorit të SHBA-së në Tiranë Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin.
Pra motivet kushtet por edhe ngjashmëria me Maqedoninë nuk përkon.
E vetmja gjë që përputhet është se si Lulzim Basha ashtu dhe Zoran Zaev kanë ambicie të bëhen kryeministra, një e drejtë e tyre normale.
Pastaj Maqedonia me Shqipërinë ka edhe problem të tjera që i ndajnë, pasi këtu nuk bëhet fjalë për një popullsi tjetër etnike që ndikon thellbësisht në zhvillimet politike dhe në zgjedhje.
Dhe kjo duhet përmendur me të madhe. Pa shqiptarët, të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës me Gruevskin, pasi i kishte vrarë e burgosur sistematikisht, nuk do të krijoheshin kushtet për Marrëveshjen e negocuar të Përzhinos dhe qeveri teknike.
ma.me