Këshilli Kombëtar i Punës ka marrë sot në shqyrtim rritjen e pagës minimale në shkallë vendi. Në tryezën e diskutimit morën pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale, i Ekonomisë, i Shëndetësisë si dhe përfaqësues të ndryshëm të palëve të interesit.
Ministri Blendi Klosi tha se në nivelin e ri të pagës minimale duhet mbajtur një balancë mes interesit të punëdhënësve e punëmarrësve. E rëndësishme është sipas tij, që niveli i ri të mos dëmtojë as ekuilibrat rajonalë të tregut të punës.
“Diskutim i frytshëm trepalësh në Këshillin Kombëtar të Punës për rritjen e pagës minimale. Me përfaqësues të biznesit, sindikatave dhe qeverisë rrahëm idetë se sa do të jetë rritja e pagës minimale në vend. Kjo rritje do të bëhet duke mbajtur në konsideratë interesat e punonjësve së pari, të punëdhënësve dhe pa dëmtuar tregun e punës në raport me tregun rajonal. Gjithçka që po bëjmë ka qëllimin e rritjes së punësimit në vend”, tha ai.
Ministria Ahmetaj e përshëndeti nismën për rritjen e pagës minimale, si një zhvillim pozitiv për ekonominë e vendit. Por ai theksoi kjo rritje nuk duhet të cënojë tregun e punës.
“Unë besoj që punëdhënësit e punëmarrësit do duhet të bëjnë një debat shumë të thellë midis tyre për të parë nëse fuqia punëtore dhe vlera e fuqisë punëtore duke u nisur nga paga minimale ka apo nuk ka efekte në konkurueshmërinë dhe në mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja”, u shpreh ministri Ahmetaj.
Paga minimale në rang vendit është aktualisht 22 mijë lekë dhe pritet të rritet me 1 mijë deri në dy mijë lekë./b.d