Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përsëriti ultimatumin ndaj policive private për rritjen e parametrave të sigurisë si dhe trajtimin e punonjësve me paga më të larta. Ai ishte në një takim me SHPSF-të në Lushnje ku tha se këto kompani kthehen në qendër të vëmendjes sa herë ndodhin grabitje.
“Policitë Private nuk mund të jenë foletë ku strehohen njerëz që shfrytëzohen si skllevër. Ne do bëjmë gjithçka është e mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër, shumë, shumë të shkurtër të detyrojmë çdo kompani, çdo polici private që të paguajë pagën sipas ligjit për çdo polic privat. Asnjë lek më pak se sa ç‘është parashikuar në ligj. Asnjë lek më pak sesa 330 mijë lekë që është paga e parashikuar në ligj. Na ndihmoni ju, ta bëjmë realitet këtë me informacion apo denoncime atëherë kur pronari apo administratori i kompanisë nuk e respekton këtë detyrë ligjore. Dhe ne do bëjmë maksimumin deri në heqjen e licencës për ato kompani që të respektohet ligji dhe kriteri. Të respektohet gjithçka kemi parashikuar në ligj. Kjo do të jetë beteja jonë e përbashkët. Beteja jonë pa asnjë diskutim dhe beteja juaj dhe e çdo polici privat, e secilit prej 9000 policëve privatë në Republikën e Shqipërisë”, është shprehur ministri Tahiri.
Ministri tha se edhe policët privatë duhet të trajnohen dhe trajtohen si punonjësit e policisë sës shtetit, në detyrimin që kanë për të respektuar komunitetin dhe ligjin.
“Dhe sigurisht duhet të investojmë më shumë në trajnimin tuja, në formimin e policisë private, në detyrimin që kanë policitë private për të respektuar komunitetin dhe ligjin. Ne na duhen policë privatë që kanë të njëjtin trajnim, të njëjtin trajtim, të njëjtin formim, si policët e shtetit. Policia private nuk mund të jetë aneksi, i njerëzve që nuk gjejnë dot punë tjetër. Duhet të jetë mision. Nuk është punë si çdo punë. Duhet të jetë punë mbi punët, është mision. Njëlloj si ata që kontribuojnë në policinë e shtetit. dhe për ta përmbushur këtë mision duhet detyrimisht të bashkëpunojmë, dhe duhet detyrimisht të garantojmë që gjithçka funksionon siç duhet, duke nisur nga paga”, tha më tej Tahiri.
/a.m.