Grupi i grabitësve të eskortave të blinduara me paratë e bankave do të hetohet nga prokuroria e krimeve të rënda. Nga kjo e premte, dosja hetimore për ta përfshirë dhe katër të arrestuarit Fation XHyliu, Ditjon Melika, Neim Avdylaj dhe Ernest Kupa i kalon për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ky vendim sqarojnë burime për Report Tv nga Krimet e Rënda është marrë pas dyshimeve se ky grup është përgjegjës për një sërë vjedhjesh të ndodhura në periudhat 2014-2017.
Deri më tani është arritur të provohet përfshirja e tyre në krim në grabitjen e eskortës së “Rogat Security” në vlerën e 3.3 milion eurove ndodhur më 3 dhjetor 2015 dhe ajo e 9 shkurt 2017 në vlerën e 3.2 milion dollarëve në eskortën e “Jaguar Security”. Sipas prokurorisë të dyshuar si pjestarë të këtij grupi janë 12 persona ndërsa janë ndaluar 4 me masë sigurie arrest me burg, 4 janë në kërkim dhe 4 të tjerë janë duke u mbajtur nën vëzhgim.