Nga Lorenc Vangjeli
Ka një keqkuptim të pandërprerë; salla e seancave plenare në parlamentin e Shqipërisë shihet si vend për miting, ndërsa bulevardi i mitingjeve, shihet si sallë për të bërë politikë. Ndeshja mes Braçes dhe Nokës quhet gjerësisht e seriozisht politikë, edhe pse secili bën politikë me mjete e mënyra të ndryshme. Më herët, por dhe më pas, ndeshje verbale dhe duele orale janë tërësisht të zakonshme, sepse dhuna në seancën e të enjtes nuk është një episod i veçuar. Në mënyra të ndryshme, në forma të ndryshme, ajo është e pranishme çdo javë. Në seanca plenare, në komisionet e përhershme, të përkohshme apo hetimorë. Ku janë me shumë se tre deputetë shqiptarë, në prani qoftë dhe një kamere të vetme të ndezur, ka sherr. Ka tension. Ka përplasje verbale dhe shpesh edhe gati-gati fizike. Tashmë një gjë e tillë është aksiomë. Ajo që konsiderohet plitikëbërje nuk ka të bëjë me ligjvënien, pak ka të bëjë me teknikat dhe politikat e shkrimit të tyre dhe akoma më pak me tentativat për t’i qortuar apo përmirësuar ato. Duke nisur me komisionet dhe duke mbaruar me seancat plenare, oratoria që sulmon ndahet në dy plane: sa mirë kemi qenë dje, sa keq po e bëni ju sot dhe anasjelltas; keq dje dhe mirë sot! Për një shumicë dërmuese dhe dëshpëruese kjo quhet politikë, ndërsa kush di të përdorë edhe duart, quhet politikan. Kush e ka tonin e zërit më të lartë, quhet edhe më i zoti në shumicën e heshtur që bërtet vetëm nga vendi kundër kundërshtarëve.
Nuk bëhet fjalë për profesion e pasion, por për pozicion.
Bëhet fjalë për diferencën dhe ndryshimin mes dy lëngjeve që djegin pothuaj njëlloj, por në vende të ndryshme: Vodka me Red Bull dhe koktejlit Molotov.
Protesta e paralajmëruar e opozitës parapremton qytetari. Kryetari i PD-së Basha dhe njerëzit e tij nuk janë të qartë sesa do të zgjasë protesta. Nëse ajo do të jetë masive të shtunën dhe natyrisht nëse nuk bie shi, një bërthamë protestuesish do të rrinë në bulevard sa më gjatë që të mundin, me shpresë që të kapin datën 20 shkurt, ditën e simbolit të rrëzimit të tiranit të Tiranës. Ata nuk janë të sigurt sesa shqiptarë do t’i përgjigjen thirrjes opozitare, nuk janë konkretë kur flasim për ditën postprotestë, por për një gjë bien të gjithë dakort: në pretendimin për të detyruar qeverinë që të sigurojë votën e lirë. Një “ambicje” dhe një aksion tërësisht politik. Duke e trembur qeverinë me masivitet, e paralajmërojnë të mos prekë votën e 18 qershorit.
Një nga komisionet e përkohshëm më jetëgjatë në këtë sesion parlamentar është komisioni për refomën zgjedhore. Si çdo katër vjet ka një komision që merr kritikat dhe qortimet e dala nga një palë zgjedhje dhe tenton të përmirësojë kuadrin ligjor për zgjedhjet pasardhëse. Kësaj here, është ngritur shumë herët. Që në 7 Dhjetor 2015 ka një kërkesë të kryetarit të kuvendit për ngritjen e komisionit dhe pak ditë më pas ai u konstituua me votë. Pak ditë më parë, mandati i tij u shty sërish në një përpjekje të fundit për të garantuar zgjidhjen e sa më shumë rekomandimeve të bëra që nga zgjedhjet e mëhershme. E megjithatë, palët janë po aq distante sa në krye të herës dhe drafti që do të bëhet ligj do të kalojë në minutën e fundit. Çështjet e nxehta, një pjesë e të cilave do të siguronin pak më shumë besim në besimin tërësisht inekzistent mes palëve, me të gjitha gjasat nuk do të trajtohen. Edhe për një arsye thjesht objektive: nuk ka kohë. Fiks ky detaj dëshmon edhe njëherë sesa ulëritëse është vendosja në rendin e duhur të akteve. Domethënë, në parlament të bëhej politikë, të diskutohej edhe kodi zgjedhor dhe jo të bëheshin mitingje të njëpasnjëshëm, kurse në rrugë të bëheshin mitingje për të treguar forcën politike të opozitës. Ky do të duhej keqkuptimi i parë që duhej të zgjidhej.
Por këtu askush nuk ka faj si zakonisht.
Të verbërit nuk mund të akuzohen për ngjyrat që zgjedhin.
As shurdhët nuk mund të akuzohen për tingujt që nuk dëgjojnë edhe pse do të donin.
Lajmet e fillimjavës dëshmonin se të paktën dy objektivat e vezëve dhe bojës së protestës së të shtunës do të ishin strehëza e bardhë në hyrjen e godinës së kryeministrisë dhe kërpudha në skaj të saj. Të enjten në mbrëmje, strehëza u fsheh me një skelë hekuri dhe bezeje të trashë, duke i garantuar edhe më shumë mbrojtje. Tek kërpudha do të ketë prani të përforcuar njerëzore. E para është konsideruar vepër arti nga kryeministri, por është kundërshtuar ashpër nga këndvështrime të ndryshme, qoftë artistike, qoftë ligjore. Në thelb, me skelë dhe pa skelë, Shqipëria vazhdon të mbetet atdheu i mëdyshuar edhe përballë “artit”, që për shije politike, para se të admirohet apo kritikohet, duhet t’i mbrohet ekzistenca fizike me mjete të tjera. Qoftë dhe për shkak të një keqkuptimi të madh, që kërkon ta shndërrojë rrugën në aulë politike dhe aulat politike, në mitingje të rëndomtë rrugësh. Sepse për fat të keq, përballë një koktejli me Vodka Red Bull që preferojnë vajzat të premteve duke u gdhirë e shtuna, burrat e ashpër të politikës, të shtunave në mesditë, zakonisht si rregull, zgjedhin Koktejlin Molotov. Si lëng dhe si fjalor.