Deputeti socialist Erjon Braçe akuzon politikën se po tenton të dështojë procesin e Vettingut, duke sulmuar Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Braçe u shpreh se roli i ONM-së është i parashikuar në Kushtetutën e vendit.
Sipas tij, politika që po ndërhyn tani, duke paragjykuar pa nisur fare procesi i Vettingut, ka për synim të dështojë apo marrë nën kontroll procesin.
“Ç’punë ka politika me sistemin e drejtësisë? Ndaj të gjitha institucioneve ka një sulm të paimagjinueshëm. Në shkelje të rëndë të Kushtetutës, politika dhe ky sistem i kalbur drejtësie kanë pasur një aleancë shumë të fortë që kanë instaluar në Shqipëri kulturën e pandëshkueshmërisë.
Dhe politika që po ndërhyn tani, duke paragjykuar pa nisur fare procesi i Vettingut, por me synimin e qartë për ta dështuar apo marrë nën kontroll procesin, po ndërhyn për të mbrojtur pikërisht këtë status quo.
Nëse ka një garanci për Vettingun, kjo garanci vjen nga ONM i parashikuar në Kushtetutë. Në funksion të asaj që është parashikuar në Kushtetutë, kanë ardhur në Shqipëri vëzhguesit e huaj, pesë gjyqtarë të cilët plotësojnë të gjitha kriteret e parashikuara në Kushtetutë.
Ky operacion kryesohet dhe është në përgjegjësinë e Komisionit Europian. Këta janë garanci për procesin e Vettingut”, u shpreh Braçe i ftuar në studion e Report Tv.
Deputeti socialist iu referua edhe dorëheqjeve të dy drejtorëve të institucioneve që do të bëjnë Vettingun, atij të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Islami dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Arben Seferi.
Braçe tha se dorëheqjet i kanë hequr çdo mundësi opozitës për të sulmuar Vettingun “Hysenajn e njoh pak, ndërsa tjetrin s’e njoh fare. Po paragjykohen nga PD, u sulmuan shumë egër.
Nga Sali Berisha nuk janë sulmuar, por nga Sali Berisha janë vrarë. Janë paragjykuar dhe është paragjykuar edhe procesi i Vettingut. Ne na intereson procesi i Vettingut. Dorëheqja e këtyre njerëzve i shërben në maksimum procesit të Vettingut dhe integritetit të këtij procesi.
Dy zyrtarët që kanë dhënë dorëheqjen, kanë kontribuuar më shumë nga sa mund të kontribuonin për procesin e Vettingut. I kanë hequr çdo mundësi kësaj opozite për të anatemuar Vettingun”, tha Braçe.
Dy ditët e fundit, ministrat e LSI Vasili dhe Gjosha kanë shprehur rezerva ndaj ONM duke dërguar letra respektivisht Nishanit dhe Johanes Hahn. /b.d