Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, i është përgjigjur mbrëmjen e së enjtes interesimit për të ardhmen e partisë së tij të re. Në emisionin “Opinion” Blushi u pyet nga paneli nëse koalicioni me partinë e Ilir Metës është një mundësi në zgjedhjet e këtij viti.
Blushi tha se personalisht do të dëshironte të dilte i vetëm në zgjedhje, por sipas tij fjalën e ka anëtarësia. Ai e la të hapur mundësinë kur theksoi se për vendimin në fjalë ai do t’i bindet anëtarësisë.
Por Blushi reagoi ndryshe kur u pyet për përfshirjen e LIBRA-s në koalicion me Partinë Socialiste. Ish-deputeti i PS tha se nuk do ta dëshironte bashkimin me Edi Ramën në zgjedhje dhe në rast se anëtarësia do të merrte një vendim të tillë, ai do të merrte vendimin e tij personal.
“Unë bëj koalicion me PS, por jo me Rilindjen. Në rast se anëtarësia vendos për koalicion me Ramën, unë do të merrja vendimin tim” – tha Blushi duke lënë të nënkuptohet se ai do të largohej nga LIBRA në rast se anëtarët vendosin për koalicion me PS.
Këtë përgjigje kategorike në fakt, Blushi nuk e dha kur u pyet për bashkimin në një pol të tretë me Metën. /javanews/b.d