Blerim Hajdarmataj, 24 vjeç, me banim në Sunrise Avenue, Chelmsford është dënuar me 8 vite burg për abuzim seksual ndaj një adoleshenteje.
Ai doli para gjykatës së Chelmsford Crown shtatorin e vitit 2016 dhe u largua nga vendi ndërkohë që çështja vazhdonte të ishte e hapur.
Gjatë mungesës së tij gjykata e deklaroi fajtor për krimin e kryer dhe Hajdarmataj u shpall në kërkim ndërkombëtar, shkruan Tv Klan.
Ai u lokalizua në Kosovë 2 javë më parë dhe u soll në Mbretërinë e Bashkuar të premten, ku u dënua me 8 vite burg.
Në datën 3 shtator të vitit 2014, shqiptari kishte qerasur me një pije 18-vjeçaren në klubin Chelmsford dhe më pas ajo ishte zgjuar në dhomën e tij duke mos iu kujtuar asgjë.
E vetmja gjë që ajo mbante mend ishte se nuk kishte pranuar të shkonte në apartamentin e tij.
Ajo ishte e zhveshur dhe kishte shenja kafshimi kudo në trup.
Viktima nga Hornchurch, kishte dalë menjëherë në rrugë duke i bërë shenjë një motoçiklisti për ndihmë, ndërkohë që 24-vjeçari e kishte kuptuar që ajo ishte larguar dhe kishte filluar ta ndiqte.
Adoleshentja kishte lajmëruar më pas policinë dhe shqiptari e gjeti veten nën pranga.
“Hajdarmataj përfitoi nga një vajzë në mënyrën më të tmerrshme. Ai nuk është penduar për veprimet e tij dhe nuk e ka imagjinuar sa gjatë do ndikojë kjo në jetën e vajzës. Ndërkohë që ai ishte në arrati, frika e saj ishte shtuar akoma dhe më shumë. Do doja të falënderoja atë për forcën që kishte gjatë rrëfimit të ngjarjes megjithëse ndihej e lënduar. Ky është një mesazh i fortë për të gjithë ata që mendojnë se do largohen nga vendi ynë pa u përballur me drejtësinë ”, u shpreh inspektori Terry Balding, pas seancës dëgjimore.
“Agjencia Ndërkombëtare e Krimeve nuk do ndalet para asgjëje në gjurmimin e të arratisurve. Blerim Hajdarmataj mendoi se mund t’i shpëtonte drejtësisë por ne përdorëm rrjetin tonë të gjerë ndërkombëtar për ta lokalizuar. Pasi mësuam se vendndodhja e tij ishte në Shqipëri, monitoruam lëvizjet e tij dhe nisëm përgatitjet për arrestimin e tij ndërkohë që ai kaloi kufirin për në Kosovë. Si rezultat i punës së palodhur të policisë së Essex-it dhe asaj kosovare, Hajdarmataj u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjendet në burg, sepse aty ku e ka vendin”, u shpreh Miles Bonfield, menaxheri operacional i Agjencisë Ndërkombëtare të Krimeve. /b.d