Ish-komandoja Neim Avdulaj në momentin e arrestimit ka qenë duke luajtur në një prej kazinove të qytetit të Vlorës, në bulevardin përgjatë Skelës. Ai ka qenë i shoqëruar edhe nga dy miqtë e tij, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.
Avdulaj mësohet se ka qëndruar në kazino prej afro 4 orësh, por nuk bëhet e ditur shuma e parave që ai ka shpenzuar.
Ndërsa në një lojë të tij më datën 13 shkurt, ai ka rezultuar fitues i 600 mijë lekëve të rinj. Por sipas grupit hetimor, ai ka kërkuar faturë në mënyrë që të justifikonte paratë në rast se ndalohej.
Një burim i “Panorama” tregoi se Avdulaj kishte rënë në gjurmë të Policisë pas grabitjes dhe marrjes në pyetje të njërit prej bashkëpunëtorëve dhe për këtë një grup i forcave speciale të Tiranës janë nisur në drejtim të Vlorës.
Për rreth 3 orë është mbajtur në vëzhgim nga agjentë të terrenit, derisa kanë mbërritur në qytetin e Vlorës forcat speciale të Tiranës.
Në momentin që 29-vjeçari ka dalë nga kazinoja, forcat speciale e kanë lejuar të ecë disa metra në këmbë dhe sapo ka kaluar anën tjetër të rrugës, kanë ndërhyrë për ta arrestuar, duke i vënë një kapuç në kokë dhe duke e shoqëruar direkt në drejtim të Tiranës.
Arrestimi i tij është bërë në datën 13 shkurt, datë kjo kur Avdulaj fitoi një shumë parash të luajtura në kazino. Mësohet së 29-vjeçari nuk ka bërë asnjë rezistencë në momentin e arrestimit.
Punëtorë të kazinosë shprehen se Avdulaj ka shkuar edhe herë të tjera, ku ka lënë shuma të konsiderueshme parash.
Sipas të dhënave, Avdulaj është me orgjinë nga fshati Karbunarë i Vlorës. Ai është i datëlinjes 23 qershor 1988, ka lindur në Vlorë, por jeton në Tiranë.
Arrestimi i tij erdhi pasi Policia zbuloi se bënte pjesë në grupin e strukturuar kriminal, që kryente grabitjen e parave të bankave të nivelit të dytë./a.m.