Mësohet se policia nuk e ka pasur të vështirë të gjejë vendin e fshehjes, pasi gjatë deklarimeve ka treguar se sipër vendit ku kishte fshehur paratë kishte vendosur një gur. Edhe prindërit e Avdulajt ishin shprehur të habitur për paratë që ndodheshin të groposura në oborr, pasi sipas tyre, ata jetonin vetëm me pensionin e tyre. Zyrtarisht prokuroria dhe policia nuk japin detaje për shumën e gjetur, por mësohet se nga kontrollet e banesave deri më tani janë gjetur rreth vetëm rreth 200 mijë euro, valuta të ndryshme. Burimet thonë se veç vendit të fshehjes së parave, Avdulaj ka treguar edhe emrat me të cilët ka kryer grabitjen mesditën e 9 shkurtit në rrugën Qafë Kashar-Rinas, të blindit që transportonte rreth 3.2 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, ABC News ka mësuar se personi i dytë i shpallur në kërkim, veç Admir Muratajt është edhe shtetasi Jetmir Çerpja nga Dibra por me banim në Kamëz. Mësohet se Çerpja, është njohje e vjetër e Admir Murataj që dyshohet se është organizatori i grupit të grabitjes. Njohje, që thonë burimet, ka nisur që në Greqi ku dyshohet se kanë qenë pjesë e të njejtës bandë në grabitjen e bankave. Për arrestimin e tij, mësohet se policia është përqendruar në zonën e Dibrës, ku mendohet se është strehuar. Në Dibër, policia thonë se po kërkojnë edhe Admir Muratajn, i njohur edhe si bashkëpunëtor i Ilir Kupës me të cilën u arratis nga burgu i Trikallas në Greqi.
Burimet thonë se vetëm Ernest Kupa nuk ka pranuar akuzën, duke mohuar pjesëmarrjen e tij në grabitjen e datës 9 shkurt apo atë të datës 3 dhjetor 2012. Ndërsa Detjon Memlikaj, dyshohet se veç informacionit ka marrë pjesë në të dy grabitjet e kryera. Si Memlikaj edhe Avdulaj janë liruar nga detyra e oficerëve të forcave komando të ushtrisë për shkelje disiplinore./a.k