Porosia e kryetarit të PD, Lulzim Basha për deputetët e partisë demokratike ka qenë e prerë: Të gjithë të jenë në bazë në takimet me qytetarët për ti ftuar në protestën e 18 shkurtit.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar demokrat, burime për REPORT TV thanë se kreu i opozitës porositi deputetët që të angazhohen në terren me strukturat dhe me qytetarët për atë që e cilëson si protestën më të madhe të opozitës.
Po ashtu mësohet se kreu i PD u ka thënë deputetëve se për detajet dhe skenarin e protestës do të vendoset në ditët në vijim por një gjë është e sigurt, protesta do të jetë ndryshe nga herët e tjera.
Mësohet se në këtë mbledhje ka marrë fjalën ish-kryeministri Berisha, i cili ka thënë se data 18 shkurt duhet të jetë një datë historike dhe një ngjarje e madhe për shqiptarët.
Sipas tij Rama është angazhuar drejtpërdrejt për nxjerrjen e kriminelëve nga burgu duke iu referuar këtu rastit të lirimit të organizatës kriminale hakmarrja për drejtësi.
Të njëjta burime bëjnë me dije se Berisha është shprehur se kjo është një vepër të Ramës, ndërsa sipas tij edhe vetë kyeministri është kriminel për sa kohë po liron kriminelët.
Sipas Berishës këto veprime kanë qëllime të pastra elektorale. Kreu i PD Basha duke folur në të njëjtën linjë ka kërkuar mirëorganizim në funksion të përballjes me qeverinë e ku sipas tij Rama po mban pushtetin me kriminelët.
‘Puna e deputetëve do të jetë në terren’, është shprehur Basha- ndërsa skenari se si do të veprohet me protestën 18 shkurtit do të përcaktohet në momentet finale nga strukturat që po merren me organizmin e protestës./a.k