Besnik ndaj traditës së vendosur nga lideri historik i Partisë Demokratike, për të intimiduar me çdo formë kundërshtarët e tij politikë, Lulzim Basha ka urdhëruar me dhjetëra rrahje apo kërcënime të të gjithë atyre që nuk përkrahin vijën e tij brenda partisë.
Por, ndërsa sulmet e Berishës i drejtoheshin përgjithësisht kundërshtarëve politikë apo intelektualëve, Basha nuk kursen as të vetët. Një regjim ky, që shqiptarët urojnë të ketë mbetur në të shkuarën.
Rasti i ndodhur ditën e djeshme në Kavajë, kur në praninë e Lulzim Bashës u rrah barbarisht një militant i PD-së që guxoi të kundërshtonte fjalët e liderit është vetëm maja e ajsbergut. Paradoksalisht, dje themeluesi i PD Kavajë Bashkim Gjoni, u dhunua nga kryetari i PD-së Kavajë, Isa Sakja.
Fushata e rrahjeve me porosi të kryetarit ka nisur menjëherë pas zgjedhjes së Bashës kryetar partie, kur nisi të konsolidonte pozitat e tij në të gjithë degët, duke zëvendësuar anëtarë të vjetër të PD-së, me persona besnikë të Bashës, shpesh me precedentë kriminalë.
Në muajt e parë të 2014-s, ka pasur disa dhjetëra raste të largimit nga detyra me dorëheqje të funksionarëve të lartë të PD-së në degët e saj. Forma më e përhapur e sigurimit të këtyre dorëheqjeve ishte presioni dhe në rastet kur personat kundërshtonin, kërcënimi i drejtpërdrejtë.
Pjesë e kësaj fushate spastrimi brenda PD-së ishte edhe ngjarja e turpshme e ndodhur në 2014-n në Burrel, kur i pranishëm në takimin elektoral, Lulzim Basha urdhëroi direkt rrahjen e Demir Çupit, kandidat për kreun e degës së partisë në këtë rreth.
“Mëkati” i Demir Çupit ishte që kundërshtoi të paracaktuarin për të fituar këtë garë, Alfred Ahmetcenaj, që u shpërblye me këtë funksion nga Basha si kreu i grupit të zjarrit në 21 janar.
Duke folur keq kundër rivalit të tij për kryetarin e degës, Çupi ndezi flegrimin e kryetarit, i cili kërkoi që atij t’i jepej një mësim për të kuptuar kur duhet të mbyllte gojën në të ardhmen. Ishin vetë njerëzit e kandidatit të paracaktuar, ata që me kënaqësi zbatuan urdhërin e Bashës.
Ishte pikërisht ky akt, ai që shënoi një standard të ri brenda Partisë Demokratike, atë të prekjes fizike të drejtuesve dhe militantëve të saj, që sfidojnë mendimin e kryetarit Basha. Në këtë vazhdë, ndodhi edhe incidenti i djeshëm, kur truprojat e Bashës goditën në mes të ditës, në qendër të Kavajës, Besnik Gjonin, militantin që tha se kryetari socialist i Bashkisë, Elvis Rroshi, kishte bërë një punë të mirë në drejtimin e bashkisë.
Pa dyshim, krahas të vetëve, Lulzim Basha ka vazhduar politikën e vjetër të rrahjes së kundërshtarëve, rasti i fundit flagrant, ai i zgjedhjeve në Dibër, kur në mitingun përmbyllës të Sherefedin Shehut, me “bekimin” e Bashës u rrah barbarisht Nuri Meda, administrator i njësisë administratrive të Tominit. Në prag të zgjedhjeve, pritet që fushata intimiduese e PD-së vetëm të intensifikohet.
Pra, flet kundër dhunës, por e ushtron çdo ditë atë.
Luan rolin e viktimës kur në fakt është dhunuesja e vazhdueshme e cilitdo që mendon ndryshe, qofshin ata militantë e themelues të PD-së. PD për sa kohë ishte në pushtet luante viktimën, ndërsa sot që kanë pasuri të pafundme, luajnë rolin e të varfrit./lexo.al