Nga Gjergj Bojaxhi
Që nga viti ’90 Shqipëria ka qenë në një provëz eksperimentale.
Eksperimenti Berisha ishte i pari që falë mendësisë dhe reminishencave të së shkuarës solli pushtetin presidencial si në vendet diktatoriale duke implementuar një demokraci hibride deri kur ra nga pushteti prej firmave piramidale që i toleroi deri në lulëzimin e ekzagjeruar të tyre që solli rrënimin ekonomik e financiar të popullit dhe shtetit.
Pas kësaj i erdhi radha eksperimentit Nano që e shndërroi qeverisjen në etalon të degradimit dhe korrupsionit nën maskën e liberalitetit derisa dhe ky degradoi në vetërrëzim duke i hapur rrugën rikthimit të eksperimentit të radhës sërish nga Berisha.
Njerëzit besuan se ai kishte ndryshuar dhe në fakt kishte ndryshuar nga mbretërimi i parë.
Këtë herë Berisha ishte tolerant ndaj aferave, korrupsionit dhe klaneve që zhvasnin paratë publike.
Degradimi i Berishës se dytë erdhi dhe i la vendin eksperimentit Rama me shpresën e madhe te rilindjes që po rezulton një rivdekje.
Përfshirja e krimit në politikë dhe institucione ishte eksperimenti i radhës që iu ofrua shqiptarëve, ndërkohë që në rradhë pret një “Eksperiment i Provuar” që shërbimin më të mirë që mund të bëjë është asgjëja.
Basha dhe asgjëja janë një binom i pandashëm dhe i provuar, ndaj do të ishte fatalitet të vijojmë të mbetemi në këto eksperimente të stërprovuara.
Shqiptarët kanë nevojë për vlera dhe njerëz që i bartin.
Duhet të fillojmë të mendojmë si të dalim nga ky eksperiment 27-vjeçar. Është koha e realiteteve, është koha e të vërtetave.
Është koha të ndërmarrim Sfidën për Shqipërinë.
(Pjesë nga diskutimi me studentë të ciklit master në U.E.T.)