Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një takim me biznesin italian, ku garantoi se vendi ynë është mikëpritës i biznesit të huaj.
Në fjalën e tij gjatë takimit me biznesmenët italian, Kreu ekzekutivit tha se po punohet për të garantuar një klimë pozitive për sipëmarrësit vendas e të huaj.
Sipas Ramës tregu farmaceutik po pëson një ndryshim rrënjësor, teksa lufta ndaj abuzimeve zë një vend të rëndësishëm në këtë transformim. “Kemi miratuar një ligj të ri për barnat, duke eliminuar çmimet e larta dhe kemi garantuar cilësinë e tyre. Kemi rritur numrin e barnave në listën e të rimbursuarve, duke futur 491 barna të reja”, tha Kryeministri Rama.
Duke folur për çmimet e barnave, ai u shpreh se shqiptarët sot paguajnë 30% më pak për barnat. “Ishim vendi i parë në botë me çmimet më të larta të barnave, por miratuam një ligj i cili nxiti uljen e çmimit të barnave dhe sot shqiptarët paguajnën 30% më pak për blerjen e barnave”, tha Kreu i Ekzekutivit.
Sipas tij, sistemi ka ende boshllëqe. “Duhet të pranojmë se puna është kolosale dhe ndryshimet janë të prekshme, ashtu siç janë të prekshme dhe boshllëqet. Nuk ishte e rastit që gjatë një kontrolli të ushtruar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm u zbulua një skemë korrupsioni e patolerueshme, të cilën e goditëm duke ritheksuar vullnetin tonë, që kush shkel ligjin, dënohet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli dhe për dixhitalizimin e sistemit të recetave. “Ky projekt pilot ka nisur në Durrës dhe ka marrë dritën jeshile për tu zgjeruar në të gjithë vendin. Ka ardhur momenti që teknologjia të forcojë transparencën dhe të mënjanoi abuzimet. Kushdo përmes celularit të tij të zgjuar mund të shoh listën e barnave të rimbursueshme dhe të njihet me të gjitha të rejat në tregun farmaceutik”, shtoi Kreu i Ekzekutivit, i cili njoftoi se shumë shpejt nga Fondi i Inovacionit që ka krijuar qeveria, do të investohet për pajisje, të cilat do ti japin mundësi mjekëve të nënshkruajnë receta elektronike.
Në fillim të fjalës së tij Kryeminstri foli edhe për mardhëniet me biznesin e sipërmarrjen Italiane, teksa kujtoi dhe një eksperiencë pozitive me çeljen e një depoje italiane në vendin tonë. “Ky fakt përbën një lajm të mirë, pasi kjo përfaqësi e çelur në Tiranë me një numër personash nuk ka vetëm misionin të punojë për Shqipërinë dhe me Shqipërinë, por të zgjerojë bazën për gjithë rajonin”, tha Kryeministri.
“Jam shumë i kënaqur për faktin se pas një vëzhgimi të kujdesshëm të gjithçkaje që ka ndodhur në këtë sektor, kjo shtëpi farmaceutike vendosi ta hedh këtë hap. Kjo për ne është shumë gjë e mirë, për të përmirësuar klimën për sipërmarrjen italiane. Kjo duke pasur bindjen se prani të tilla kanë një efekt të paçmuar promovues”, nënvizoi Kryeministri /ATA/