Një indeks i Numbeo.com rendit 269 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks aq më mirë është).
Tirana gjendet në vendin e 235, duke u renditur mes qyteteve ku është më e vështirë për të blerë një shtëpi me të ardhurat e disponueshme, raporton Monitor.
Parisi në Francë dhe Milano në Itali renditen përkatësisht në vendet e 231 dhe 232.
Akoma më i lirë është Një Jorku, që gjendet në vendin e 194.
Ky indeks, sipas Numbeo, llogaritet përgjithësisht si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve ndaj të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, të shprehura si vite të ardhurash.
Ai merr në konsideratë të ardhurat e disponueshme neto, një apartament mesatar prej 90 metra katror dhe çmimin për metër katror (si një mesatare e çmimit në qendër dhenë periferi të qytetit).
Në Tiranë, sipas këtij indeksi duhen 17.4 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Milano, një familjeje i duhen 17 vite, në Parit 16.8 vite. Në Nju Jork duhen 12.7 vite, në Zyrih 10.1. Edhe në Vjenë, një destinacion shumë i preferuar i Europës, mjaftojnë 13.7 vite.
Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Sarajeva, me 12.9 vite.
Në Shkup ky tregues është 15.6, në Podgoricë 14.1, Sofia dhe Selaniku e kanë 9.1, Athina 10.4.
Qyteti më i shtrenjtë i rajonit, sipas fuqisë blerëse është Beogradi, me 21.5 vite.
Në Europë, më i shtrenjti është Londra, ku do të duheshin 27 vite të ardhura për të blerë një apartament.
Beogradi dhe Tirana më të shtrenjtët në rajon
Edhe në vlerë absolute, çmimet e apartamenteve në qendër të kryeqytetit janë ndër më të shtrenjtat në rajon, së bashku me Brogradin.
Aktualisht çmimet e apartamenteve brenda unazës në Tiranë variojnë nga 1200-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona që janë shtrenjtuar ndjeshëm.
Në zonën e televizionit shqiptar, çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katror.
Tendenca është në rritje.
Banka e Shqipërisë konfirmoi së fundmi se indeksi i çimeve të banesave në kryeqytet u rrit me rreth 4% në tremujorin e fundit. Agjentët e real estate dhe ndërtuesit presin që kjo tendencë të vazhdojë edhe këtë vit.
Aktualisht nivelin më të lartë të çmimeve në rajon për qendrën e ka Beogradi, me mesatarisht 2000 euro për metër katror, por për hyrjet luksoze arrin edhe në 4000 euro, sipas Eurobank Property Services.
Çmime mes 1500-2000 euro/m2 ka dhe Pogdorica.
Në rajon, më i lirë mbetet kryeqyteti i Maqedonisë, ku çmimet po bien që prej vitit 2011, pas një rimëkëmbjeje të shkurtër në 2010-n.
Në Shkup, çmimi mesatar i banesave ra me 1.8% në 2015-n në MKD 52,916 (USD 963) për metër katror, në raport me vitin e mëparshëm, sipas institutit maqedonas të statistikave
Në Sarajevë, çmimet mesatare të apartamenteve në qendër janë rreth 1400 euro/m2.
Por, ndryshe nga qendra, periferia në Tiranë është më e lira në rajon dhe luhatet mes 450-600 euro për metër katror, ndërsa në vendet e rajonit është minimum 800 euro/m2.