Është përkujtuar në 100 vjetorin e lindjes një prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste, intelektualja Musine Kokalari.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në ceremoninë kremtuese zhvilluar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, njoftoi se Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve ka përgatitur të plotë projektin e zbatimit për rikonstruksionin e shtëpisë ku lindi Musineja në Gjirokastër, djegur fatkeqësisht në vitin 2014.
“Për këtë ofrojmë dhe një fond për restaurimin që në bashkëpunim me familjen të ndërtojmë një model të shtëpive së shkrimtarëve me hapësirën muzeale kushtuar Musinesë dhe atë të mikpritjes – projekt më i gjerë që ne po krijojmë në Gjirokastër me një seri banesash, ku historia përzihet me arkitekturën, letërsia me bujtinën dhe kujtesa me të shkuarën që na kthen drejt së ardhmes”, tha Kumbaro, e cila shtoi më tej “se ngjarjet do të vijojnë në javë të tjera dhe nesër në Gjirokastër për të shkuar në gjurmët e Musinesë, për të mos harruar atë, për të mos harruar viktimat e persekutimit komunist, për të mos e lënë të keqen të përsëritet”.
Kumbaro e quajti Musinenë “simbol që përmes brishtësisë i qëndroi diktaturës, Gruaja-Libër”
“Musineja mbetet një personazh që intrigon me kombinimin e çuditshëm që përvijohet, midis profilit shumë të rafinuar, siluetës prej Madone, vështrimit të përhumbur, deklaratave të forta, zgjedhjes socialdemokrate, vrazhdësisë së gjyqit politik, teksteve naive me nënon plakë, kërkimit akademik në një italishte perfekte, nga sokakët e të marrëve te kishat bibliotekë të Romës, nga burgu te pavijoni onkologjik; nga qëndismat e mëndafshta te fjala e dëshpëruar prej mungesës së lirisë”.
I pranishëm në ceremoninë kremtuese në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtares së parë shqiptare dhe intelektuales së shquar Musine Kokalari, kryeministri Edi Rama tha se;“Dosja e Musinesë do të jetë e para që do hapë një histori të të re, të hedhjes dritë mbi faktet tragjike të së shkuarës dhe të shqyrtimit të gjithë dokumenteve dhe njohjen me gjithë personazhet që i kanë ikur dritës së të shkuarës që shumë shpesh na janë shfaqur me dy gishtat lart përballë prozhektorëve të të sotmes”.
Në nderim të vlerave që Musine Kokalari përfaqëson për shoqërinë tonë, institucionet e kulturës kanë konceptuar një sërë veprimtarish kulturore, të cilat do të vijojnë në Gjirokastër, ku do të prezantohet libri i saj “Jeta ime Universitare”, prezantim ky që do të bëhet më 11 shkurt, në ora 11:30 në Shtëpinë Kadare në Gjirokastër.
Ky event organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Gjirokastrës dhe Konsullatën e Nderit të Italisë në Gjirokastër. Kujtimet e një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste (1937-1941), vijnë nën kujdesin e Simonetta Ceglie dhe Mauro Geraci.
“Jeta ime universitare” është një libër autobiografik, historik, etnografik dhe filozofik, i shkruar nga Musine Kokalari në vitet 1940-1942 në Romë, kur ishte në vitin e fundit të studimeve. Ditari u shkrua në italisht. Kokalari përshkruan në të momentet më të rëndësishme të jetës studentore. Libri është një përvojë e rrëfyer nga vetë Kokalari me detaje, përjetime, ngjarje deri dhe mbi dashurinë për një djalë./a.m.