Nga Armando Meta/
Një debat mes dy gazetaresh të rubrikave sportive në televizione, përkatësisht Ilda Bejleri dhe Hygerta Sako, si padashje ka gërvishtur një prej plagëve më të rënda të gazetarisë shqiptare që është konceptimi gjithnjë e më sipërfaqësor i këtij profesioni. Që në krye të herës, mbase edhe pa takt, nënvizoj se modeli “Bejleri” i gazetarisë përfaqëson trendin që po gropos gjithnjë e më shumë gazetarinë profesionale. Një model ku forma është gjithçka, thelbi asgjë. Natyrisht që gazetarja Sako nuk përfaqëson modelin “Bejleri”. Jo vetëm për shkak të staturës së saj ndër vite, por edhe për shkak se konceptualisht edhe emisionin sportiv që ajo drejton përpiqet ta drejtojë dhe menaxhojë me mendje.
Natyrisht që shkrimi nuk rreket të vlerësojë në mënyrë kritike se cili nga këto dy emisione është më i sendërtuar. Por ajo që të tërheq vëmendjen është fakti i të ashtëquajturës “gazetari e vjetër” që artikulohet nga kolegia Bejleri. Në fakt ajo duket se ka të drejtë. Ka të drejtë në aspektin se raca e vjetër e gazetarëve është përpjekur ndër dhjetra vite ta bëjë këtë profesion, aspak të lehtë, me mendje dhe jo me një selfie duke bërë shoping, apo duke dalë nga dushi për të shtuar fansat në rrjetet sociale. E natyrisht të kesh fansa për foto nuk do të thotë se detyrimisht je gazetare. Ja pse ajo duket se ka të drejtë pasi e koncepton gazetarinë thjeshtë një profesion seksi.
Në fakt gjithnjë e më shumë pronarët dhe drejtuesit e mediave, sidomos ato vizuale, gjithnjë e më shumë kanë filluar ta shohin gazetarinë si profesion seksi, ku ka rëndësi si dukesh dhe jo çfarë marrëzish nxjerr nga goja. Ja pse modeli “Bejleri” është përhapur si virus në pjesën dërrmuese të mediave shqiptare duke filluar që nga programacioni, informacioni, spektakli etj., duke i kthyer mediat në pasarela e duke ua zbehur vlerat si institucione.
Kjo ka bërë me faktin që dhjetra gazetarë, të cilët kanë kontribuar jo pak ndër vite në profilin e shtypit shqiptarë, të enden rrugëve, në kushte mjaft të vështira e të përjashtuar nga ky profesion nga fenomeni “Bejleri” dhe i “Bejlerëve” të medias. Ilda përfaqëson një mëndësi të përgjithshme që është krijuar tashmë në media që, mjafton të kesh forma fizike dhe lehtësisht mund të bësh edhe gazetarin. Në fakt s’munden. Jo vetëm në përvojën e gazetarisë botërore, por edhe atë shqiptare, ka qindra e mijëra shembuj që ky profesion është mjaft i vështirë, me plot emocione të bukura dhe dramatike, me dihatje ndër rrugë me shi e diell në kërkim të fabulës, kontaktit, lajmit të veçantë, leximi të librave dhe shkrimeve etj.
Gazetarët nuk janë as balerinë dhe as këngëtarë që janë me afat”skadence”. Gazetaria është i vetmi profesion që nuk ndahet në të vjetër dhe në të rinj. Por ndahet në gazetarë të zot dhe të pazot.
Natyrisht gazetaria që flet me gjuhën fizike është gazetari me afat skadence. Por mjerisht gjithnjë e më shumë kjo lloj gazetarie sa vjen e po fundos vlerat e vërteta të gazetaris shqiptare, duke e kthyer këtë profesion në një profesion thashethemexhish, niveli analfabet artikulimi dhe formimi intelektual. Kjo ka çuar në rënien drastike të shikueshmërisë televizive. Gjithnjë e më shumë mjaft shikues që i përkasin botës civile dhe të lexuar i janë larguar ekranit. Në realitet nuk është faji i “Bejlerit” për këtë, por i “Bejlerëve” në media, të cilët gjithnjë e më shumë po e bëjnë këtë profesion gjithnjë e më pa vlerë, ashtu siç kanë bërë të pavlerë edhe mediat që drejtojnë.