Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë ekzekutoi urdhër ndalimet e Prokurorisë për 2 punonjës policie të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nën akuzat për “Falsifikim dokumentesh”, “Ekspertim i rremë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Dy punonjësit e policisë, të arrestuar nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, janë:
– N/Komisar Ramazan Veseli, me detyrë specialist shërbimi, përgjegjës seksioni i parandalimit dhe sigurisë në linja jashtë qytetit, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.
– N/Komisar Viktor Dulaj, me detyrë oficer i policisë gjyqësore, seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.
Ngjarja për të cilën akuzohet ata ndodhi në 21 nëntor 2016, në rrugën “Prokop Mima”, në Tiranë, ku gjatë një aksidenti rrugor mbeti i aksidentuar rëndë shtetasi L.L.
Veprimet e para hetimore në lidhje me këtë aksident janë kryer nga dy të ndaluarit Viktor Dulaj dhe Ramazan Veseli.
Por nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se veprimet e kryera nga këta oficerë nuk ishin në përputhje me rrethanat faktike dhe për rrjedhojë kanë sjellë favorizimin e autorit të aksidentit.
Në këto kushte nga ana e Prokurorit të çështjes u nxorën urdhrat e ndalimit, të cilat u ekzekutuan menjëherë nga ana e SHÇBA-së, për veprat penale “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ekspertim i rremë” të parashikuar nga nenet 301, 186/3 dhe 309 të K.Penal.
Hetimet lidhur me këtë ngjarje vazhdojnë./a.m.