Nga hetimi rezulton se përgjegjësi i turnit i kompanisë “3R” që menaxhonte përpunimin e mbeturinave, shtetasi Dëfrim Hakrama, si edhe fadromisti Edmond Kollari, nuk kanë respektuar rregulloret për mënyrën e punës, si pasojë e të cilave ka mbetur i vdekur shtetasi Gjoklaj, i cili punonte pranë kësaj kompanie.
Për këtë çështje, krahas hetimeve të nisura për vdekjen e 17-vjeçarit, janë duke u zhvilluar hetime edhe për përgjegjësitë e mundshme të kompanisë “3R”, shoqërisë “Eco Tirana” dhe Bashkisë së Tiranës, bazuar në një kallëzim të dorëzuar nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike.
Hetimi për kompanitë dhe Bashkinë e Tiranës u veçua nga hetimi kryesor për vdekjen e Ardit Gjoklaj, për faktin se po përfundonin afatet e paraburgimit për dy personat e konsideruar përgjegjës për vdekjen e punëtorit, për të cilët përfundoi hetimi dhe u dërguan për gjykim.
Nga hetimi për të pandehurit Dëfrim Hakrama dhe Edmond Kollari, ka rezultuar se:
Në datën 7.8.2016, rreth orës 14.20, policia gjyqësore u njoftua se ne vendin e quajtur “Landfilli i Sharrës” Tiranë ishte gjetur një kufomë në grumbullin e mbeturinave pranë sheshit të riciklimit. Kufoma ishte e seksit mashkull në të cilën nga këqyrja që ju bë u vërejtën plagë të shumta, si ato të shkaktuara nga mjete të tonazhit të rëndë. Trupi i dëmtuar i këtij shtetasi u dërgua në Institutin e Mjekesise Ligjore, ku u bë dhe identifikimi i tij dhe rezultoi se ishte shtetasi Ardit Gjoklaj, i datelindjes 1999 (17 vjec), lindur në Tropojë dhe banues tek ish kombinati tekstil, Tiranë.
Shtetasi Ardit Gjoklaj punonte në landfillin e Sharrës, prej afërsisht një muaji, aty ku subjekti “3R” sh.p.k ushtron aktivitetin e përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane në bazë të një aktmarreveshje me Bashkinë Tiranë, i cili edhe në momentin e gjetjes së tij, ishte i veshur me uniformën e punëtorit në landfill (kominoshe ngjyrë gri dhe doreza te gomuara pune).
Nga keqyrjet ne vendin e ngjarjes u konstatua se zyra e shoqërise “3R” sh.p.k, e cila gjendet ne ambjentet e landfillit është e përshtatur në një kontenier, ku në këtë zyre u gjeten disa praktika me emra –mbiemra sipas turneve, me data te ndryshme, të cilat u sekuestruan dhe aty figuron i shënuar edhe emri i shtetasit Ardit Gjoklaj deri ditën e ngjarjes.