Ambasada amerikane në Tiranë revokoi vizat për shumë gjyqtarë, prokurorë pjesa më e madhe e tyre anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe më gjërë. Mes tyre dhe kryeprokurori Llalla. Si e vlerësoni një gjë të tillë dhe a duket të kishte pasur ndonjë dorëheqje?
Qeveria amerikane, ashtu si çdo vend tjetër, vendos vetë se kë të pranojë të futet në Amerikë si turist, apo me çfarëdo statusi tjetër. Qeveria amerikane nuk ka detyrim kushtetues ndaj të huajve, pra as detyrim që të pranojë ata të hyjnë në Amerikë si vizitorë. Dhënia e vizave për të vizituar Amerikën është një privilegj që qeveria amerikane i bën çdo personi që i jepet vizë. Dihet se janë me mijëra qytetarë të thjeshtë ne këto 25 vite që kanë aplikuar për vizë turistike në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe shumë prej tyre nuk u është dhënë vizë.
Përse refuzimi a revokimi i vizës për disa prokurorë e gjyqtarë (uroj që kjo të bëhet edhe për disa politikane, ish-pushtetarë e pushtetarë) shkaktoi “tërmet” në Shqipëri, kur për qindra a mijëra refuzime vizash për qytetarët nuk ka pasur reagime të tilla? Përse vallë prokurorët e gjyqtarët duhet të kenë edhe nga ambasadat e huaja privilegje të pamerituara? Aq më tepër kur ndonjë prej tyre ka abuzuar me vizën e dhënë, madje edhe mund të ketë përfituar padrejtesisht nga taksapaguesit amerikanë.
Natyrisht që në rastin konkret qeveria Amerikane me shumë të drejtë dha edhe një mesazh të qartë për gjyqtarët, prokurorët, politikanët e pushtetarët që pengojnë apo sabotojnë reformën në drejtësi, apo që ka të dhëna për korrupsion e inkriminim te tyre. Qytetarët shqiptarë e kanë pershëndetur këtë veprim të qeverisë Amerikanë, sepse është në të mirën e Shqipërisë sonë të dashur. Do të ishte edhe në nderin e Bashkimit Europian që të merrtë masa të tilla.
Ju më pyesni nëse duhet të japë dorëheqje prokurori Llalla? Unë mendoj se ai duhej të kishte dhënë dorëheqje vite më pare, edhe për të mirën e vet. Për fatin e keq të Shqipërisëai vazhdon të jetë në atë pozitë të lartë duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme vendit.
Ka shpërthyer një konflikt mes kryeprokurorit Llalla dhe ambasadorit Lu, mbështetur dhe nga politika e ku po akuzohet diplomati amerikan se po sillet si guvernator, ndërkohë që ai shprehet i vendosur për t’i shkuar në fund pastrimit të drejtësisë shqiptare…?
Dua të bëj një saktësim: Në fakt konflikti i Llallës është me qeverinë Amerikane, sepse Ambasadori i nderuar Lu përfaqëson në Shqipëri Presidentin dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E them me bindje se pa këmbënguljen dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë Amerikane dhe të ambasadorit të nderuar Donald Lu, të Bashkimit Europian dhe ambasadores së nderuar Romana Vlahutin, nuk bëhet Reformë Drejtësie në Shqipëri. Prandaj ne shqiptarët që e duam dhe mbështesim këtë reformë, duhet t’u jemi përjetësisht mirenjohës atyre.
Klani i disa politikanëve, ish-pushtetarëve, prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar e inkriminuar që e kanë frikë reformën në drejtësi po e intensifikojnëtani fushatën e turpshme të kundërvenies dhe akuzave ndaj ambasadorit Lu duke synuar të pengojnë e sabotojnë zbatimin e kësaj reforme. Eshte domethënës dhe inkurajues fakti se keto ditë qytetarët shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë po shprehin në shtyp, në median sociale dhe me gjithçka munden mbështetjen dhe mirënjohjen e tyre ndaj qeverisë amerikane dhe ambasadorit Lu.
Unë personalisht kam nderin dhe kënaqësinë ta njoh nga afër ambasadorin Lu. Ai ka një dashuri të madhe për vendin tonë dhe njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë. Si një diplomat me përvojë dhe shumë inteligjent, ai ka arritur të kuptojë edhe si duhet vepruar në realitetin jodinjitoz të politikës së atyshme. Prandaj, fjala vjen, amendamentet kushtetuese u votuan në Parlament me 140 vota, pra u detyruan të votojnë pro edhe ata që në fakt janë kundërshtarë dhe sabotues të reformës në drejtësi. Shqipëria është me fat që ambasadori Lu është dhe do të jetë aty edhe gjatë zbatmit të reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve parlamentare të Qershorit. Natyrisht që Llala dhe kushdo ish-pushtetar, pushtetar e politikan i korruptuar e inkriminuar e kanë frikë ambasadorin Lu, pra edhe Presidentin dhe Qeverinë Amerikane, dhe kjo frikë duhet t’u shtohet dita-ditës.
Llalla për median deklaroi se një nga ambasadorët e rëndësishëm në Shqipëri i kishte kërkuar arrestimin e disa zyrtarëve shumë të lartë, por ai kishte refuzuar se s’kishte pasur prova. Aludohet për kreun e Kuvendit e zyrtarë të tjerë. Si e vlerësoni një zhvillim të tillë?
Sido që të jetë e vërtëta, duket qarte se Llalla i frikësuar po kërkon të kërcënojë e frikësojë disa politikanë që të garantohet se ata nuk do ta “tradhëtojnë”, pra ai po sillet si shantazhues edhe me politikanët e pushtetarët dhe aspak si Prokuror i Përgjithshëm. Kështu ka bërë edhe disa herë të tjera kur deklarontë publikisht se pas disa muajsh “në Shtatorin që vjen…” do të ketë surpriza, arrestime të disa zyrtarëve e politikanëve të lartë. Por kaluan shtatorë, muaj e vite dhe ajo që ai premtoi dhe që populli priste nuk u bë. Nëse diplomatët e huaj në Shqipëri ndihmojnë organet e drejtësisë dhe institucionet e tjera edhe duke kërkuar ndjekjen penale të ish-zyrtarëve e zyrtarëve të lartë që ka të dhëna për korrupsion a inkriminim të tyre, shqiptarët duhet t’u jenë shumë mirënjohës. Nëse Llalla apo çdo prokuror tjetër dekonspiron tek personat e dyshuar të dhënat inkriminuese dhe nuk fillon çështje penale, atëherë ai e kushdo prokuror tjetër duhet të merren në përgjegjësi penale pa asnje vonesë apo hezitim.
Reforma në drejtësi po has shumë vështirësi në implementimin e saj. Përzgjedhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, na dha një rezultat befasues, pasi nga 9 anëtarë, mbi 90 përqind e tyre janë mbështetës të Berishës. Ndërsa për tre vende për Prokurorinë kryeprokurori dërgoi po tre emra. Komenti juaj?
Reforma në Drejtësi është reforma më e rëndësishme, por edhe më e vështira. Kundërshtarët e saj që i frikësohen kësaj reforme sepse kanë mbi vete një mal me krime e korrupsion, edhe pse u detyruan të votojnë amendamentet kushtetuese për drejtësinë, kanë bërë e do bëjnë gjithçka munden ta pengojnë e sabotojnë këtë reformë. Kam mësuar se disa nga 9 anëtarët e përzgjedhur disa me short e disa me emerim nëKëshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) nuk plotësojnë as kriteret e përcaktuara në ligj. Pra ky Këshill eshtë i Paligjshëm dhe duhet nnuluar dhe shorti të bëhet përsëri, duke pranuar vetëm ata që plotësojnë kriteret e ligjit dhe që kalojnë “Veting”-un. Në të kundërt zbatimi i Reformës në Drejtësi duket se filloi me Padrejtësi dhe Paligjshmëri, gjë kjo që minon vetë qëllimin e reformës. Jam i zhgënjyer nga fakti që Prokurori i Përgjithshëm bëri publik këto ditë se në të gjithë prokurorine vetëm tre prokurorë plotësokan kriteret ligjore për tre përfaqësuesit e prokurorisë në Këshillin e Emërimëve në Drejtësi. Pra të tre prokurorët ne KED janë emëruar nga Prokurori i Përgjithshem dhe jo caktuar me short, sikurse e kërkon ligji.
Jemi para një situate që kërkon zgjidhje të menjëhershmë ligjore. Mendoj se në KED duhej të kishte edhe nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, nga Profesorati i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës.Ky rast është edhe një mësim e pësim për Parlamentin. Kur vendos kritere ligjore për përfaqësuesit në institucione, pra edhe në KED, Parlamenti duhej të kishte studiuar më parë realitetin ku ndodhet vendi, pra nëse ka një numër të mjaftueshëm personash që mund të plotësojnë ato kritere ligjore që propozohen. Kriteret ligjore për në KED duket se e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen e brezit tëri të magjistratëve dhe juristëve që nuk kanë10 vjet pervojë pune. Pra me sa duket ka vend shprehja popullore se po “i varen melçitë në qafë ujkut”.
Po spekulohet shumë se ardhja e Trump do ti japë një dorë politikës së opozitës për të ardhur në pushtet. Si e vlerësoni një shpresë të tillë, dhe a lëviz drastikisht politika amerikane në varësi të presidentëve që vijnë?
Po përgjigjem shkurt edhe se nuk kam kohë as dëshirë të merrem edhe me këto marrëzira të opozitës: Opozita duket se shikon ëndrra me sy hapur dhe kështu duket se po e garanton qenien në opozitë edhe për shumë vite. Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ambasadori i nderuar Lu këto ditë ua thanë hapur dhe shumë qartë. Opozita, mazhoranca dhe të gjithë shqiptarët duhet t’i kuptojnë mirë mesazhet dhe qendrimet e pandryshuara të qeverisë Amerikane. Ju faleminderit ju dhe gazetës TemA që më jepni mundësinë të komunikojmë sëbashku dhe me lexuesit tuaj./m.a.