Strukturat e Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave po vazhdojnë operacionin e kërkimit të 3 minatorëve kinez te bllokuar në nëntokë, pas aksidentit të ditës së djeshme.
Ndërkohë, që prej ditës së djeshme ndodhet në Bulqizë edhe zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Gëzim Musabelli, i cili po ndjek nga afër operacionin e kërkim-shpëtimit.
Burime zyrtare të ministrisë së Energjisë dhe Industrisë thanë për ATSH-në se kërkimi vazhdon dhe se grupet e kërkimit nuk kanë arritur ende në atë nivel, pasi ka gaz dhe rrezikohet jeta e tyre “Po bëjnë ventilimin që të nxjerrin gazin, pasi janë dëmtuar edhe sistemet e lëvizjes nga shpërthimi i gazit”, thanë burimet.
Rreth 10 minatorë u plagosën rëndë në minierën e kromit në Bulqizë, pas një shpërthimi gazi të shtunën, bëri të ditur dje Policia e Shtetit në një konferencë shtypi.
Shpërthimi ndodhi kur minatorët po kryenin gërmime në nivelin 16 të galerisë. Tre nga minatorët e plagosur janë në gjendje kritike.
Është bërë e ditur gjithashtu se tre minatorë të tjerë mund të jenë të bllokuar brenda minierës, ndërsa policia dhe autoritetet vendore po punojnë për shpëtimin e tyre./a.k