Juristi i OSHEE, Romeo Karaj, një nga dëshmitarët kyç në çështjen e privatizimit të OSSH, sjell sërish detaje të reja lidhur me ngjarjen.
Ai adreson kritika ndaj Komisionit Hetimor, teksa ka sygjeruar që të merren edhe një sërë dëshmitarë të tjerë, të cilët sipas tij qëndrojnë në prapaskenën e çështjes.
I pyetur për mungesën e dëshmisë nga shtetasi Nuel Kalaj, juristi thotë se Kalaj po pengohet nga njerëz me pushtet që të flasë përpara komisionit.
Në një intervistë për gazetën TemA, Karaj sqaron edhe konfliktin me motrën e tij që u bë publik nga mediat.
Ai thotë se ky është një problem familjar dhe media duhet të fokusohet tek vjedhja e shtetit dhe jo tek familja e tij.
A shihni ndonjë gabim që po bën komisioni hetimor, i cili pengon zbardhjen e plotë të çështjes së CEZ? Çfarë sygjeroni ju?
Komisioni hetimor parlamentar duhet të shqyrtonte rastet e konfliktit të interesit në përbërjen e tij. Kemi të pastër rastin e konfliktit të interesit mes ish-ministrit Ridvan Bode dhe objektit të hetimit të këtij komisioni.
Ai duhet thirrur patjeter si dëshmitar, gjë që e bën absurde qënien e tij si anetar komisioni.
Komisioni ka bërë një punë të mirë investiguese, por në momentin që autoriteti i këtij komisioni vihet në dyshim nga persona të thërritur si dëshmitarë por që nuk pranojnë të dëshmojnë, atëherë mendoj se komisioni duhet të reagojë ligjërisht duke iu adresuar menjëherë prokurorisë.
Mendoni se çështja ka nevojë për ndërhyrjen e ekspertëve ndërkombëtarë për tu zbardhur ashtu siç duhet?
Për momentin nuk mendoj së është e nevojshme prania e ekpertëve të huaj. Nuk kemi të bejmë me një proces arbitrazhi ku ata do të konsideroheshin të nevojshëm. Ajo që është më e nevojshme në këto momente është bashkëpunimi me strukturat investiguese ndërkombetare, të cilat do të ndihmonin për të hedhur dritë lidhur me veprimet bankare, levizjet jashtë, takimet e palëve, hotelet ku kanë qendruar, etj. Padyshim që duhet një investigim serioz lidhur me këto pika.
Çfarë ju shtyu për të ‘siguruar’ dosjen në disa vende? Lidhet me frikën se mund t’iu eleminojnë fizikisht?
Jetojmë në Shqipëri dhe një realitet si ky i yni të imponon marrjen e masave të tilla. Çdo gjë po e bëj që ky proces të përfundojë me sukses. Edhe po të jetonim në një realitet tjetër, prapë do të merrja këto masa. Procese të këtij lloji ta imponojnë një kujdes të tillë.
Djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, dyshon mbi provat e vëna në dipozicion prej jush. A keni ju një përgjigje konkrete?
Lidhur me e-mailet të cilave ju referohet Berisha i vogël (Shkëlzen Berisha), unë ju siguroj juve dhe gjithë shqiptarëve se janë krejtësisht të pamanipuluara edhe tejet të vërteta. Ato kanë ardhur zyrtarisht tek ne në korrik të vitit 2014 nga “CEZ-GROUP” nëpërmjet “Clifford Chance”. Kemi edhe shkresën shoqeruese te “Clifford Chance” që e vërteton këtë gjë, e cila u bë së fundmi publike edhe në media. “Clifford Chance” është një kompani prestigjioze avokatie e cila është pajtuar nga CEZ në kohën e qeverisë Berisha dhe e vlerësuar apo e cituar mjaft herë prej tij. Ata fare lehtesisht mund të interesohen edhe pranë “Clifford Chance” lidhur me këtë gjë.
Sipas jush pse nuk ka dëshmuar ende një nga dëshmitarët më të përfolur Nuel Kalaj? Çfarë po e pengon?
Arsyet më të plota se përse nuk ka dëshmuar Nuel Kalaj i di më mirë vetë ai. Megjithatë refuzimi për të dëshmuar e rëndon pozitën e tij si nga ana morale, ashtu edhe nga ana ligjore. Më bën përshtypje një fakt.
Ai deklaroi se do të vinte patjeter për të dëshmuar dhe papritur ndërroi mendje. Si duket ai vetë edhe mund të vinte të dëshmonte por do të jenë te tjere persona qe duhet te kene komunikuar me te dhe e kane udhetuar te mos deshmoje.
Çdo fjalë e thenë prej tij do të përdorej kundra tij apo bashkëpunëtorëve të tij, kështu që të gjendur përballë fakteve të papritura dhe të pakundërshtueshme ai dhe te tjere pas tij refuzuan dëshminë. Mjaftoi dëshmia e Hamza Merxhanit për të kompromentuar pozitën e ish-pushtetarëve, pavaresisht se në pjesën më të madhe ajo ishte e pasinqertë.
Ligjërisht Nuel Kalaj dhe të dy Berishat kanë konsumuar veprën penale të refuzimit për të dëshmuar dhe sipas ligjit çështja e tyre duhet t’i referohet prokurorisë ose meqe është bërë publike, vetë prokuroria duhet të iniciojë një proces kundra tyre duke e çuar çështjen në gjykatë sipas parashikimeve të nenit 165 të Kodit të Procedurës Penale.
Dhe kush mendoni se janë këta persona që po e pengojnë të flasë?
Janë ata persona të cilëve ju leverdis të mos zbardhet kjo aferë dhe që janë pergjegjësit për gjithçka çka ndodhur në batërdinë e CEZ-it.
Është përmendur shpesh se ky proces privatizimi ka qenë i këshilluar nga Banka Boterore dhe IFC. Cili ka qenë roli i tyre?
Është e vërtetë se Banka Botërore nëpërmjet kompanise konsulente IFC e ka asistuar këtë proces privatizimi. Edhe ata e pranojnë këtë gjë. Gjithashtu janë shprehur zyrtarisht se pavaresisht se e kemi perkrahur, ky proces privatizimi ka qenë i nxituar .
Këtë gjë e ka thënë ekzaktesisht perfaqesuesja e Bankës Botërore në Tiranë Kseniya Lvovsky në dhjetor të vitit 2012, pikërisht në pikun e krizës së CEZ-it dhe pak përpara heqjes së dy licensave të CEZ-it nga qeveria Berisha nepermjet ERE.
Banka Boterore ka qenë këshilltare dhe jo vendimmarrëse. Justifikimi se kemi zbatuar këshillat e Bankës Botërore është minimumi mjeran.
Qeveria Berisha duhet të mbajë përgjegjësitë e dështimit me sukses të këtij procesi privatizimi, me të njëjtën eufori sic mori meritat për suksesin e këtij privatizimi. Meqë suksesit tashmë i doli kallaji, po mundohen ta adresojnë tek Banka Botërore.
Qeveria Berisha duhet të sqarojë se pse e ka shpërblyer dy herë IFC-në . Një shpërblim e ka parashikuar me ligj për ta paguar ne dhe te nje shperblim e ka caktuar me VKM per ta paguar subjekti fitues qe ne kete rast ishte CEZ-i. Duke dashur te implikoje Banken boterore mendoj qe ish qeveriaret implikojne me shume veten e tyre.
Pse atëherë Banka Boterore e ka përkrahur procesin kur ka konstatuar se është i nxituar?
Konstatimi i Bankës Botërore vjen më pas në dhjetor të vitit 2012 dhe jo në vitin 2008. Kështu është të paktën zyrtarisht. Edhe ata kanë kontributin e tyre në këtë dështim por përgjegjësit kryesorë janë qeveriarët tanë që janë votuar me ligj për të mirëmenaxhuar pasuritë e vendit. E kanë pasur detyrim ligjor këtë. Këshilltarët asnjëherë nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për dështimet. Morale po, padyshim.
Historia ka treguar se çështjet më të mëdha në vend janë mbyllur të pazgjidhura. Nëse drejtësia merr këtë vendim edhe për çështjen e CEZ, atëherë çfarë hapi do të ndërmerni?
Edhe nëse kjo çështje mbyllet ashtu siç aludoni ju apo të tjerë, unë personaisht do të marrë iniciativen për të ngritur vetë një padi pranë Prokurorisë.
Besoj se edhe prononcimi im në media flet për një konsekuencë timen lidhur me këtë gje. Dielli nuk mbulohet me shoshë.
Ju keni folur shpesh për shkeljet e bëra në procesin e privatizimit të OSSH. Ku konsistojne konkretisht këto shkelje?
Është një pyetje që meriton një përgjigje të gjatë dhe të plotë pasi edhe shkeljet janë të shumta dhe të gjithëanshme.
Së pari: me e-mailet që kemi marrë prej palës çeke, konfirmohet se tenderimi i zhvilluar për procesin e privatizimit të OSSH-së ka qenë fiktiv. Së dyti: në kundershtim me ligjin janë privatizuar 76% të aksioneve duke mos ruajtur paketën e aksionit të artë vetëm për 2%.
Asnjëherë qeveria Berisha nuk përmend paaftesinë e saj për të ruajtur interesat e shtetit si aksionar minoritar, sepse ishin vetë ata që ja hoqën shtetit këtë të drejtë duke e miratuar vetë me akte ligjore sasinë prej 76 % te paketës së aksioneve që duhej privatizuar.
Së treti: Është hyrë në privatizim pa bazën e duhur ligjore.
Së katërti: Është hyrë në privatizim pa zgjidhur te drejtat dhe detyrimet midis OSSH dhe KESH-it.
Së pesti: Është hyrë në privatizim pa regjistruar ligjërisht asetet e OSSH pranë ZRPP, të cilat në një pjesë të tyre i përkasin edhe sot KESH-it.
Së gjashti: Nuk janë respektuar afatet ligjore për fillimin e kësaj procedure sipas parashikimeve ligjore.
Së shtati: Është hyrë në negocim me palën çeke pas shpalljes së saj fitues lidhur me të gjitha specifikimet teknike të vendosura me VKM.
Së teti: komisionet e tenderimit janë ngritur në kundërshtim me ligjin.
Së nënti: I gjithë procesi i negocimit pas dorëzimit të ofertës ka qenë në kundershtim me ligjin. Negocimi ka qenë parashikuar se si do të bëhej kalimi i pronesisë apo administrimit dhe jo të prekte specifikimet teknike.
Së dhjeti: U rrit niveli i borxhit të keq nga 4% në 14% duke penalizuar me 70 million dollarë në vit buxhetin e shtetit.
Së njëmbëdhjeti: Me një VKM të dalë më 6 Mars 2009 u favorizua CEZ dhe u disfavorizua KESH me një shumë me mbi 50 millionë Euro.
Së dymbedhjeti: U ul në kundershtim me çdo akt ligjor garancia e ofertës nga 40 milionë dollarë në 5 milionë euro. Ka edhe mjaft shkelje të tjera por ajo që është e pakundërshtueshme është se ky proces ka qenë i deshtuar, i bërë në kundërshtim me ligjin dhe duke krijuar një dëm të madh ekonomik për shtetin.
Qeveria e atëhereshme nuk zbatoi asnjë parashikim ligjor lidhur me trajtimin e punonjësve të OSSH.
Së fundmi ju kanë akuzuar si njeri me probleme mendore duke sjellë në vëmendje një ngjarje të pak muajve më parë ku thuhet se keni ushtruar dhunë mbi motrën tuaj…
Duke mos patur asnjë mundesi për të hedhur poshtë provat e ofruara nga unë, ata që e kanë mizën nën kësulë po mundohen të merren me denigrimin tim. Kjo është një taktikë e njohur.
Ju dështoi varianti i thënë përmes deputetes demokrate XXXXL nga Vlora dhe tani po bëjnë inversione me çështje familiare.
E para, pretendimi i tyre nuk është i vërtetë. Unë kam një rreth të tërë familiar që qëndron përkrah meje lidhur me çështjen e një pronesie si dhe të vërtetën se unë nuk kam pasur asnjë konflikt fizik. Turp për një media që boton padi të një konflikti familjar pronësie.
Le të botojnë edhe deshmitë e tyre meqë u futen deri këtu dhe jo të lozin me gjysmë të vërteta. Të gjithë ata që ju dalin kundër ketyre në vjedhjet dhe abuzimet e tyre, që nuk frikesohen pre tyre dhe qe perbejne rrezik per ta, ata i etikojne minimumi te çmendur.
Unë që po flas me fakte qenkam i çmendur dhe sipas tyre nuk paskam anjë të drejtë. D.m.th privatizimi i OSSHE-së paska rezultuar i suksesshëm, Gërdeci nuk ka plasur, 1997 nuk ka ndodhur, Sudja, Vebiu, Xhaferri e Kamberi nuk kanë ekzistuar dhe ne shqiptarët jetojmë të lumtur. Deri më sot na kanë çmendur ata ne si popull, ndersa tani ka ardhur radha e tyre. Shejtanët këtë punë kanë: Të pështyjnë dhe të shajnë. Nuk duhet harruar se ata janë shumë punetorë në këtë drejtim. Rëndësi ka të heqim frikën prej tyre.