Sokol Balla/
Kryeministri Rama nuk e fshehu zhurmën në buzëqeshjen e tij kur Elja e Klanit të Sandrit bëri pyetjen “ballkanike”: A ishte Rama apo Vuçiç i preferuari gjerman për lider të Ballkanit. Megjithëse përgjigja e Merkel ishte super diplomatike, vetë fakti që ajo erdhi në Tiranë, para se të shkelte në Beograd, e ka përgjigjen brenda.
Mesa duket Rama është i preferuari i Merkel dhe nga deklaratat, që nga ajo për tregun e punës që mund të furnizohët nga shqiptarët dhe deri tek rëndësia gjeopolitike e shqiptarëve, duket se edhe ajo është gati të kthehet në Engjëllin e Edit.
Edhe arsyet pse, janë të thjeshta. Gjermania po sheh për herë të parë se në Shqipëri ka një vullnet qeverisës shtetformues, që kërkon të rikthejë autoritetin e e ligjit, të pronës, të formalitetit në tregun e punës, dhe deri diku, së paku, një farë dëshire për të mbytur burokracinë që sjell paevitueshmërisht edhe korrupsionin.
Gjermania nga fitorja e të majtës në 21 qershor, thuajse pa firo nga një milion shuplakat e para dy vjetëve, merr mesazhin se megjithëse ky popull han më pak dhe punon më pak, prapë e pranon këtë, në shkëmbim të një qeverie që kërkon të kthejë një farë dinjiteti shtetëror.
Sigurisht këtë kemi qejf ne ta kuptojmë.
Por në fakt gjermanët e lodhur nga një raport i vështirë me sllavët me të cilët nuk u deshën kurrë, duket se kanë kthyer kokën nga shqiptarët. Dhe përballë profilit skandaloz të politikanëve shqiptarë në Maqedoni, atij korruptiv në Kosovë dhe pothuajse inefektiv në Mal të Zi, keq e mirë Tirana politike përfaqëson elitën e politikës shqiptare në rajon. Dhe pasqyrën ku shihen gjithë shqiptarët e rajonit. Shqipëria është vend me shumicë myslimane që mund të përbëjë përjashtimin e rregullit në këto kohë të vështira me Isis nëpër këmbë, por jo e fundit, Merkel i ka kthyer bythët me qejf drejtimit juglindor të ndërtesës së qeverisë, që sheh nga Athina, vetem 300 km larg në vijë ajrore. Jo më kot Rama e theksoi shpesh se shqiptarët ndryshe nga të tjerë, që vazhdojnë të kërkojnë të dalin nga Europa, ata janë “demode” dhe ende duan të futen në të. Ishte nje e vërtetë, e përzgjedhur me kujdes ndër shumë batuta, që ti guduliste sedrën Zonjës së Hekurt me zemër të butë për shqiptarët.
Këto arsye, dhe jo batuta prej “jokeri” të Ramës, e bëjnë atë të preferuarin e Merkel në rajon. Ndoshta këtë moment mund ta shijojmë të gjithë. Edhe Elja e Klanit, nëse pas pyetjes së vet, kuptoi edhe përgjigjen e Engjëllit të Edit.
Shkruar për Javanews.al