Ministri i Energjise dhe Industrise, Damian Gjiknuri ka reaguar ne lidhje me akuizat e Partise Demokratike per punen e OSHEE.
“Veçse keqardhje për Partinë Demokratike. Është shndërruar në forcën politike që nuk i reziston dot tundimit për të bërë politike me çdo të vdekur e fatkeqësi njerëzore. Në përpjekje për të fituar kapital politik mbi kufomat, çdo të vdekur e lidhin me një faturë energjie. Në vend që tu kërkojnë falje shqiptarëve, nxitojnë ti përdhosin. Ju fton sot në protestë partia programi i vetëm qeverisës i të cilës është antishteti, kaosi dhe anarkia. Ju fton të protestoni ajo forcë politike që shiti asetet kombëtare të energjitikës për pazare të familjes dhe çoi Shqipërinë në greminë financiare. Ju fton në protestë partia që varrosi sektorin elektroenergjitik me mbi 1 miliard dollar borxhe”, shkruan Gjiknuri ne faqen e tij zyrtare.
Sipas tij:
Koha kur mbi 45% e energjisë elektrike tolerohej dhe nxitej nga shteti që të vidhej ka marrë fund. Koha kur energjia elektrike tregtohej si mall këmbimi me vota në prag zgjedhjesh ka marrë fund. Koha kur shqiptarët e ndershëm, pavarësisht vështirësive financiare paguanin edhe për ata që vidhnin energjinë ka marrë fund. Shqiptarët e dinë mirë se borxhi i akumuluar që trashëgojnë sot ndaj sektorit energjitik ka si shkak pikërisht paaftësinë deri në krim të Partisë Demokratike e cila toleroi vjedhjen e energjisë dhe mos pagesën e faturave.
Askush nuk duhet të paguajë për atë që vjedh. Secili paguan atë që konsumon. Gjithëkujt i është krijuar dhe do ti krijohet mundësia të shlyejë detyrimet e prapambetura me këste. Janë 126 mijë konsumatorë që u është dhënë e drejta të përfitojnë nga zerimi i kamatëvonesave në një shumë totale përfitimi prej 155 milion dollarësh.