Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja e ka në Kosovë forcën e KFOR-it, e cila garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon si pjesë e ruajtjes së paqes në Evropë, shkruan, gazeta Zeri.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe se prania e KFOR-it në Kosovë është prioritet për këtë aleancë. Këto komente Stoltenbergu i bëri dje në një konferencë të përbashkët me kryeministrin, Isa Mustafa, ku ka thënë se KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa kjo prani është e nevojshme.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për largim të retorikës nxitëse dhe për vazhdim të dialogut. Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kufijtë e Kosovës nuk po cenohen dhe se KFOR-i është garantues i paqes dhe i stabilitetit. Ai gjithashtu ka theksuar nevojën e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, por ka thënë ky transformim është peng i ndikimit të Serbisë.
Stabiliteti në Ballkan, i rëndësishëm për NATO-n
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi tepër të madhe për NATO-n dhe se KFOR-i mbetet prioritet për aleancën, pasi, sipas tij, siguria dhe stabiliteti në këtë rajon është me rëndësi për sigurinë dhe stabilitetin në tërë Evropën.
“KFOR-i është operacioni ynë më i gjatë tash me rreth 4500 trupa këtu në terren. Për 18 vjet të kaluara KFOR-i ka ndihmuar transformimin e Kosovës në një vend më të sigurt dhe sot gjurmët e NATO-s në Kosovë shkojnë përtej pranisë sonë ushtarake. Ne jemi të zotuar drejt ndërtimit të kapaciteteve.
Ekipi ynë këshillimor i NATO-s do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë fushë, duke përfshirë edhe mbështetjen drejt FSK-së brenda mandatit të saj të tanishëm”, është shprehur Stoltenbergu, citohet Zëri. (b.an)