Kryeministri Edi Rama, përmes rubrikës AMARCORD, nderoi të enjten kontributin e humanistit Anton Çeta për pajtimin e gjaqeve.
“Djemtë dhe vajzat kosovare që kanë lindur si sot 27 vjet më parë dhe që jetojnë në paqe mes vendit e me dëshirën për të jetuar jetën dhe dashurinë në atdheun e tyre, i’a detyrojnë ogurin e mirë veprimit historik që ndërmorri më 2 shkurt 1990, humanisti dhe rilindasi i kohëve moderne, Anton Çeta, për pajtimin e gjaqeve”, shkruan Rama.
Njohës i thellë i dokeve shqiptare, përfshirë edhe atyre më të rrepta, me një shpirt të gatuar në uzdajen e përparimit të kombit nëpërmjet paqtimit dhe përbashkimit, sipas Ramës, “ky intelektual i sofistikuar, bashkudhëtar shpirtëror i Ibrahim Rugovës, u kthye në një gur themeltar në rrugën e ndërgjegjes shoqërore të shqiptarëve”.
“As vepra dhe as kujtimi i tij nuk duhet të harrohen, sidomos nga brezi qe lindi ditën që gjaqet rreshtën së qëni një fatalitet dhe një dasi e përhershme”, shkruan Rama. /b.d