Nga Ben Andoni
Prej disa kohësh, segmente të ndryshme të LSI-së, për hir të konfliktit me PS-në, janë duke i atakuar fort Institucionet e shtetit, herë duke i personalizuar me emrat e titullarëve, por më shumë duke i sulmuar direkt. E fundit prej tyre ishte ajo që doli nga goja e deputetit të LSI-së në Gjirokastër, që adresoi akuza direkte ndaj policisë shqiptare. “Konstatoj edhe unë në Gjirokastër një tentativë, përpjekje nga ana e Policisë së Shtetit për të ndikuar në procesin zgjedhor. Nuk e kam bërë publik, sepse asnjëherë nuk kam menduar se këto përpjekje të drejtuesve të policisë së Gjirokastrës janë të lidhura me PS-në direkt, apo lidershipin e PS-së, dhe kurrë nuk mund ta besoj. Në momentin që do të kem një konfirmim të një fakti të tillë, atëherë pa dyshim që dhe unë do ta bëj jo thjesht publike, por do ta quaj alarmante këtë situatë dhe do të kërkoja sinqerisht si pjesë e këtij koalicioni, si deputet i këtij koalicioni, ndërhyrjen e ministrit Tahiri te drejtuesit e Policisë së Shtetit, të mos merren me politikë, sepse nuk janë prioriteti i Policisë së Shtetit politika dhe rezultatet zgjedhore”, – deklaroi z. Tavo.
Përgjigjen më korrekte ndaj kinse ambiguitetit e ka marrë nga Opozita dhe pikërisht nga kreu i PD-së së qarkut të tij. Z.Bejko i ka përmendur se aferat e kanabisit kanë kohë që janë ngritur si shqetësim prej tyre, porse formacioni politik i z. Tavo jo vetëm s’ka reaguar, por ka vazhduar të punoj njësoj.
Me shumë kujdes funksionarit të LSI-së i është kujtuar se ai duhej “të denonconte edhe abuzimet me detyrën të të besuarve të vet dhe të LSI-së në drejtim të institucioneve në Gjirokastër si në Spitalin Rajonal, Ujësjellës, apo dhe Bashkinë e Gjirokastrës e cila nuk e ka kontrollin e qytetit për pastrimin, kanalizimet dhe shërbimet e tjera ndaj komunitetit”, referuar Bejkos.
Reagimi i fundit ka treguar edhe se PD-ja duke filluar nga baza ka filluar të marrë seriozisht situatën politike me të cilën po përballet por edhe politikën e frontit të majtë. Nga ana tjetër, duhet të vlerësohet se motivi këtë herë ka qenë shumë institucional, duke mos hedhur baltë mbi të gjithë policinë e shtetit, siç veprohet rëndom në shumë prononcime të tilla. Ky akt ka shërbyer edhe si një arsye për të kuptuar një ndërgjegjësim më të mirë të situatës, por edhe perceptim shumë të ftohtë të paradoksit politik, që po ushqen LSI-ja me zyrtarët e rreshtave pas kryetarit.
Ky qëndrim shërben edhe si një akt për të duartrokitur qëndrimin e PD-së në qarqe, qëndrim, që mund të ndikojë dhe në kupolën kryesore të partisë për emancipimin e saj sa i përket respektit të institucioneve, që s’duhet të kenë parti dhe nuk duhet të konceptohen të tilla. Veprimi i fundit i z.Bejko dhe organizatës së tij në Gjirokastër, i ka dhënë vërtetë pikë PD-së. (Javanews)