13 trafikantë të një bande të drejtuar nga shqiptarët janë vendosur në pranga nga policia në një operacion të zhvilluar në disa qytete. Drejtuesi i bandës që trafikonte drogë nga Shqipëria në Itali është një shqiptar, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur nga autoritetet italiane.
Në pranga nga të dhënat e para të mediave italiane kanë rënë 12 shqiptarë dhe një shtetas italian, ndërsa të përfshirë janë edhe rumunët. Operacioni i koduar ‘coast to coast’, ‘nga bregu në breg’ ndërsa banda funksiononte prej 10 vitesh dhe trafikonte heroinë, kokainë dhe marijuanë. Operacioni është koordinuar nga drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Barit në bashkëpunim me atë të Foggias pas përgjimeve prej disa muajsh të lëvizjeve të bandës.