Projektligji për statusin e punonjësve në in dustrinë e naftës dhe të gazit, u miratua me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, në prezantim të projektligjit, kërkoi mbështetjen e projektligjit nga të gjitha palët, pasi ai rregullon një padrejtësi të bërë në vite punonjësve të këtij profesioni të vështirë. Projektligji parashikon të drejtat e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit, në marrëdhënien e tyre të punës, pagës, mbrojtjes dhe sigurisë në punë, shëndetit, pensionit etj.
Në total sipas ministrit Klosi pritet të përfitojnë vitin e parë të implementimit të ligjit rreth 5 mijë persona. “Vendimi për të miratuar ‘Statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit’ do të thotë trajtim i rritur financiar dhe bashkë me të, edhe një sërë trajtimesh të tjera që iu ofrojnë lehtësira rreth 5 mijë qytetarëve që kanë punuar në këtë profesion jo të lehtë”, – deklaroi ministri Klosi.
PROJEKTLIGJI
Ditën e djeshme, projektligji “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit” u miratua në Komisionin e Ekonomisë me votat e mazhorancës dhe opozitës. Sipas kreut të MMSR-së, Blendi Klosi, statusin e përfitojnë ata që kanë punuar apo vijojnë të punojnë në puset e naftës. Për evidentimin e tyre, është vendosur të përdoren aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke cilësuar se në kuptim të këtij ligji: “Naftëtar” dhe “Ish-naftëtar” është shtetasi që punon ose ka punuar në industrinë e naftës dhe gazit në pozicione dhe punë të përcaktuara në VKM nr.526, datë 20.12.1958, “Për ndarjen e punëve për efekt pensioni”.
Në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, është parashikuar që mosha e daljes në pension për burrat naftëtarë që kanë 30 vite në punë, të ulet në 60 vjeç, ndërsa për gratë në 55 vjeç. Si rezultat i uljes së moshës së pensionit, ministri Klosi sqaroi se vetëm në vitin e parë të implementimit të ligjit, do të përfitojnë 2.000 pensionistë. Në draft parashikohet që paga të përcaktohet në bazë të kontratës kolektive të punës, por duke vendosur një pagë-dysheme nën të cilën nuk mund të lidhet kontrata kolektive e punës, e cila është sa 150% e pagës minimale në shkallë vendi.
Pra duke pasur parasysh pagën minimale prej 22 mijë lekësh, i bie që nuk do ketë pagë më të ulët se 33 mijë lekë. Një element i rëndësishëm i këtij statusi është edhe trajtimi me pagesë në rast ndërprerjeje të punës në këtë sektor me qëllim garantimin e një minimumi jetese dhe mosbraktisjen e tyre, e cila nuk do të jetë më pak se 80% e pagës minimale në shkallë vendi. Nëpërmjet statusit, naftëtarëve u lind e drejta që dy herë në vit të bëjnë kontroll mjekësor falas në institucionet shëndetësore publike dhe private.
Gjithashtu, parashikohet të jepet shtesë pensioni 1% për çdo vit pune në industrinë e naftës dhe gazit, por kjo shtesë nuk mund të jetë më shumë se 40% e pensionit të pleqërisë. Për naftëtarët që janë aktualisht në punë është parashikuar që punëdhënësi të paguajë një kontribut shtesë në masën 3% përveç kontributit të detyrueshëm, me qëllim financimin e pensionit si rezultat i uljes së moshës së daljes në pension. Ky projektligj ka një faturë financiare që llogaritet rreth 400 milionë lekë në vit, faturë të cilën qeveria shqiptare merr përsipër ta sigurojë edhe nga vetë skema e sigurimeve shoqërore.
ma.me