“Në zbatim të nenit 14, shkronja “c” dhe nenit 16 të ligjit nr 8891 datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” të neneve 153-165 të Kodit të procedurës penale dhe të neneve 17 dhe 18 të Rregullores së Brendshme, Komisioni hetimor ka vendosur t’ju thërrasë për të dëshmuar mbi ngjarjet dhe faktet që Ju keni në dijeni, me qëllim sqarimin e rrethanave të ndryshme, në lidhje me çështjen objekt hetimi, ditën e mërkurë datë 1 shkurt 2017, ora 17:00 pranë Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në kërkesën e komisionit. Komisioni hetimor e paralajmëron djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha se nëse nuk paraqitet për të dëshmuar, ai do të shoqërohet me forcë nga Policia e Shtetit.
“Komisioni ju bën me dije se në rast mosparaqitjeje për të dëshmuar, do të zbatohet ligji nr 8891 datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i cili në nenin 16, pika 4 përcakton: “Kur dëshmitari nuk paraqitet për arsye të përligjura, i kërkohet organeve të policisë të bëjnë thirrjen me forcë të tij””, thuhet në kërkesën paralajmëruese të komisionit.
Shkëlzen Berisha ka mohuar disa herë lidhjet me sekserin e privatizimit të OSSH si dhe me bosin e kompanisë DIA, Kastriot Ismailajt, por komisioni disponon një e-mail që provon të kundërtën.