Ka përfunduar dje afati ligjor për dorëzimin e deklaratave të pasurisë dhe dokumentacionin justifikues pranë ILDKP nga 800 gjyqtarë dhe prokurorë, në funksion të zbatimit dhe të veprimit të ligjit të Vetingut. Përfundimi i afatit 30-ditor i hap rrugë një prej proceseve më të rëndësishme, siç është kontrolli i ligjshmërisë së pasurisë së deklaruar dhe hetimi i pasurive të fshehura, brenda apo jashtë vendit.
4 orët e fundit, dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë mësynë zyrat e ILDKP, për të dorëzuar në kohë deklaratat e pasurisë. Për të përballuar fluksin, ILDKP shtoi burimet njerëzore, ndërsa vendosi të pranonte deklaratat edhe të shtunën e të dielën. Edhe ditën e djeshme, deri në orën 18:00, ILDKP ka pritur dorëzimin dosjeve të pasurive nga gjyqtarë dhe prokurorë.
Pas përfundimit të afatit, Inspektoriati i Pasurisë do të evidentojë subjektet që nuk kanë dorëzuar deklaratat, ndërsa do të nisë menjëherë me kontrollin e ligjshmërisë së pasurisë. Gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët nuk kanë dorëzuar dosjen e pasurisë, largohen automatikisht nga sistemi. Po ashtu, do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë edhe prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nga procesi i hetimit rezultojnë që nuk e justifikojnë pasurinë me dokumentacion ligjor, që kanë fshehur pasurinë, kanë bërë deklarim të rremë apo janë në konflikt interesi.
Nga sistemi do të largohen gjithashtu edhe subjektet që kanë një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme. Për çdo rast, ILDKP do t’u propozojë institucioneve të Vetingut konfirmimin apo largimin e subjektit nga detyra.
Kontrolli i figurës dhe aftësisë profesionale
Ditën e djeshme ka përfunduar afati edhe për dorëzimin e deklaratës për kontrollin e figurës dhe formularin për aftësitë profesionale. Neni 35 i ligjit të Vetingut parashikon që subjekti i rivlerësimit plotëson deklaratën për kontrollin e figurës, brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të tij dhe e dërgon atë pranë Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Kjo e fundit fillon menjëherë procedurën e kontrollit të figurës.
Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijojnë një grup pune për kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Grupi i punës brenda 60 ditëve nga konstituimi i grupit të punës, verifikon nëse informacioni është i saktë dhe nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar.